Në ditën kur pritej të ngrihej sipari i Botërorit të Klubeve, Ayrton Costa ishte futbollisti i fundit që plotësoi delegacionet e 32 skuadrave pjesëmarrëse.
Për të mbërritur në Miami, ku skuadra e tij Boca Juniors ka vendosur të akomodohet gjatë turneut, mbrojtësi argjentinas kaloi një “odise” të vërtetë.
Për shkak të masave shtrënguese me politikat e emigracionit dhe vizat, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, i mohuan Ayrton Costa tre herë pajisjen me vizë.
Shkak ishte përfshirja e tij në një hetim për vjedhje me dhunë, të ndodhur në vitin 2018 në Rio De Janeiro.
Ai ishte shpallur i pafajshëm, por kaq nuk mjaftonte, ndërsa për pajisjen e tij me vizë duhej ndërhyrja e FIFA.
Kjo është pjesa e parë e një historie, që shumë mirë mund të bëhet film. Me ndërhyrjen e FIFA, Departamenti i Shtetit, pajisi me vizë lojtarin, por për të mësuar lajmin ai duhet të priste edhe tre ditë të tjera.
Në këtë pikë, fajin e kishte vetë. Siç tregoi më pas vetë Costa, ai priste të njoftohej me e-mail, por zyrtarët e FIFA e kishin telefonuar, ndërsa ai nuk i ishte përgjigjur numrit të panjohur.
Më në fund, kishte vendosur të dëgjonte se çfarë kishte për t’i thënë personi që ngulmonte në krahun tjetër të telefoni.
Mbyllja e kësaj historie ishte e lumtur, me Ayrton Costa që me vonesë u bashkua me pjesën tjetër të skuadrës së Boca Juniors dhe më 17 qershor pritet të debutojë në Botërorin e Klubeve në ndeshjen kundër Benfikës./abcnews.al