Ralf Ragnick. Ky është njeriu i cili do të ndërtojë Milanin e të ardhmes, por që do të largojë nga klubi legjenda si Paolo Maldini dhe Zvonomir Boban. Ivan Gazidis ka vizionin e tij për kuqezinjtë dhe ai është i besuari i pronarëve të klubit. Për ta janë të rëndësishme shifrat dhe objektivi është që bilancet e klubit italian të rregullohen.
Synimi është ndërtimi i një ekipi me të rinj, të cilëve më pas t’u rritet vlera në treg. Kontrata e Ragnick do të jetë 3-vjeçare dhe do të synohet nisja e një cikli të ri. Do të ketë lojtarë të sakrifikuar, si Donnarumma, Ibrahimovic dhe Rebic. Të tre janë të papërballueshëm për Milanin e ri, që do tentojë që të vendosë pagën maksimale 3 milion euro.
Gjermani, i cili ka qenë arkitekti i Hoffenheim dhe RB Leipzig, thuhet se ka nënshkruar që tani me Milanin. Kjo ka bërë që edhe mediat në vendin fqinj të mundohen të zbulojnë sa më shumë gjëra rreth tij. Tuttosport madje ka publikuar së fundmi një listë me dënime, që ai i aplikonte tek ish-skuadra e tij në Gjermani.
Mënyra se si përcaktohej dënimi ishte krejt e veçantë. Gjithçka përcaktohej në rrotullën e ndëshkimeve, që sillej rreth dhe lojtari merrte dënimin që tregonte shigjeta. Dënimet ishin deri diku qesharake, pasi lojtarët që bënin shkelje mund të detyroheshin të bënin zëvendëstrajnerin te të rinjtë. Kjo në ditën e pushimit.
Pastrimi dhe fryrja e topave për një javë ishte në listën e dënimeve, sikurse edhe shoqërimi i tifozëve në turin e tyre në stadium. Ndonjë përfundonte duke shërbyer pijet në bar, ndonjë tjetër duke kositur barin. Opsion ishte edhe puna në dyqanin zyrtar, tre orë në ditë për një javë.
Dhuratat për punonjësit e klubit ishin një nga dënimet. Në dhjetor rreziku ishte i madh të ishe Babagjyshi i Krishtlindjeve, kurse dënimi më i rëndë ishte të stërviteshe një javë i veshur me ngjyrë rozë, si “princesha” e ekipit. /abcnews.al