Drejtori i një instituti të lartë shkencor rus është arrestuar për tradhti, së bashku me dy ekspertë të tjerë në teknologjinë e raketave hipersonike, pasi ata akuzohen për nxjerrje të sekreteve në Kinë.
Aleksandr Sipliuk dyshohet se i ka dorëzuar materiale të klasifikuara Kinës si pjesë e një konference shkencore në vitin 2017. Sipas burimeve, emrat e të cilëve Reuters nuk i ka përmendur, 56-vjeçari mohon akuzat dhe këmbëngul se informacioni në fjalë nuk ishte i klasifikuar dhe ekzistonte në internet.
“Ai është i bindur se informacioni nuk ishte sekret dhe është i sigurt për pafajësinë e tij”, tha një nga burimet.
Natyra e akuzave kundër Sipliuk, i cili u arrestua në gusht 2022, nuk u zbulua më parë. Rasti i 56-vjeçarit është i fundit në një seri arrestimesh të shkencëtarëve rusë të akuzuar për zbulimin e sekreteve shtetërore.
I pyetur në lidhje me akuzat me të cilat përballen shkencëtarët e ITAM, si dhe arrestime të ngjashme në të kaluarën, zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov tha se shërbimet e sigurisë ishin në vëzhgim për raste të mundshme të “tradhtisë”.
Agjencia ruse e inteligjencës FSB nuk iu përgjigj menjëherë kërkesave për koment.
Nga ana e saj, Ministria e Jashtme kineze, e pyetur në lidhje me pretendimet se Pekini po synon shkencëtarët rusë për të pasur akses në kërkime të ndjeshme, tha se marrëdhëniet kino-ruse bazohen në “mosidentifikimin dhe mosshënjestrimin e palëve të treta.”
Rasti në fjalë është krejtësisht i ndryshëm nga ajo që paraqesin disa aleanca të inteligjencës dhe ushtarake, bazuar në mentalitetin e tyre të Luftës së Ftohtë, shtoi ministria kineze.
Presidenti rus Vladimir Putin ka thënë vazhdimisht se Rusia është një lider botëror në raketat hipersonike.
Rasti i shkencëtarëve të ITAM, si dhe incidentet e mëparshme, tregojnë se Moska është e kujdesshme ndaj rrjedhjes së informacionit teknologjik, madje edhe ndaj aleatit të saj Kinës.
/abcnews.al