I dërguari i posaçëm i Britanisë, Peach: Duam Ballkan të sigurt

schedule11:49 - 15 Dhjetor, 2021

schedule 11:49 - 15 Dhjetor, 2021

Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar do një Ballkan Perëndimor të sigurt, me institucione të forta, demokratike dhe me sundim të fortë të ligjit, tha i dërguari i posaçëm britanik për Ballkanin Perëndimor, Stuart Peach.

Në një video-mesazh për qytetarët e Bosnje dhe Hercegovinës, me rastin e vizitës së tij në këtë vend, Peach tha se kryeministri britanik, Boris Johnson, i ka kërkuar ta marrë postin, për të mbështetur përpjekjet e Britanisë në të gjithë rajonin.

Ai tha se dëshiron të ofrojë mbështetje për zgjidhjet politike, si dhe t’i promovojë integrimet euroatlantike.

“Gjatë vizitës sime në Bosnje do të takohem me politikanë të rangut të lartë, agjenci për zbatimin e ligjit, parlamentarë dhe, çfarë është e rëndësishme, me akterë të rinj të shoqërisë civile, që punojnë për të promovuar paqen dhe pajtimin”.

“I gëzohem bashkëpunimit të ngushtë me të gjithë partnerët, përfshirë edhe përfaqësuesin e lartë [ndërkombëtar] dhe aleatët tanë ndërkombëtarë, si dhe ofrimit të mbështetjes për ata që angazhohen në përparimin e këtij vendi”, tha Peach.

“Sot jam në Sarajevë në kuadër të vizitës sime të parë si i dërguar i posaçëm”, tha ai në video-mesazhin e publikuar në llogarinë e tij në Twitter.

Peach u emërua në postin e të dërguarit të posaçëm të Britanisë së Madhe për Ballkanin Perëndimor në fillim të dhjetorit.

Në deklaratën pas emërimit të tij, Qeveria britanike tha se Peach do të mbështesë punën e përfaqësuesit të lartë ndërkombëtar në Bosnje, Christian Schmidt.

Sa i përket Kosovës dhe Serbisë, ai do të bashkëpunojë me partnerët e Britanisë, në mbështetjen e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve midis dy vendeve, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Këtë vit, edhe Shtetet e Bashkuara kanë emëruar të dërguar të ri të posaçëm për Ballkanin Perëndimor.

Gabrial Escobar e ka zëvendësuar Matthew Palmerin nga muaji shtator. Aktualisht, Palmer është i dërguar i posaçëm i SHBA-së për reformën zgjedhore në Bosnje e Hercegovinë.

Bashkimi Evropian ka të dërguar për këtë rajon diplomatin Mirosllav Lajçak./REL