I dërguari i posaçëm gjerman vizitë në Shqipëri, takime me dy kampet e PD

schedule19:08 - 17 Mars, 2022

schedule 19:08 - 17 Mars, 2022

I dërguari i posaçëm i qeverisë gjermane për Shqipërinë e Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin ndodhet në vendit tonë. Në kuadër të vizitës së tij zyrtari gjerman ka zhvilluar takime edhe me opozitën, përfshirë dy kampet e PD.

Siç raporton gazetari Juxhin Mustafaraj, ai është takuar me nënkryetarin e Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj, si dhe me Genc Pollon, nga grupi i Rithemelimit. Në një postim në rrjetet sociale, Pollo thotë se ndër të tjera janë ndalur tek procesi i integrimit të Shqipërisë në BE.

“Me z. Manuel Sarrazin takohem sërish në Tiranë. Dikur si raporter për Shqipërinë grupit i Partisë së Gjelbër në Bundestag, sot i Dërguar i Posaçëm i qeverisë gjermane për Shqipërinë e Ballkanin Perëndimor. Është pozitive që ai kontakton edhe opozitën.

Përveçse dënimit të agresionin të Putinit kundër Ukrainës dhe rolit të Shqipërisë ku gjërat janë të qarta u ndala tek procesi i integrimit në Bashkimin Europian. Fuqitë e treta jo miqësore me BE nuk kanë përkrahje në popullsinë shqiptare. Partia Demokratike siç ka realizuar në të shkuarën ashtu do të konsolidojë edhe në të ardhmen ankorimin e vendit në Europë e në Perëndim.

Partia Demokratike do të mirëpriste  çeljen e negociatave për anëtarësim këtë gjashtëmujor nën presidencën franceze të BE-së. Por vlera konkrete e këtyre negociatave për shtetin tonë e ndonjë tjetër në rajon ku dominon korruptokratia është në radhë të parë rekuperimi i elementeve bazë të shtetit ligjor e të demokracisë; ose siç njihen Kriteret e Kopenhagenit të cilat janë kusht sine qua non për BE. Neglizhimi i tyre nuk është ndihmë për popullin shqiptar. Gjermania me rolin e saj pozitiv në rajonin tonë dhe në BE mund të ndikojë veçanërisht në këtë drejtim,” shkruan Pollo.

Alibeaj zbulon se diskutuan për disa çështje të ndryshme, përfshirë integrimin në BE, por edhe problematika të tjerë në vend.

“Pata kënaqësinë të prisja në takm të Ngarkuarin e Posaçëm të Qeverisë Federale për Ballkanin Perëndimor, z. Manuel Sarrazin. I interesuar për çështjen e ecurisë së integrimit europian të Shqipërisë e falenderova dhe e informova atë për qëndrimet e grupit parlamentar të Partisë Demokratike në këtë proces. Vendosmëria dhe mbështetja e PD për të shtyrë përpara këtë proces ne interes të shqiptarëve do të vazhdojë e palëkundur, pavarësisht mungesës së pëtpjekjeve nga qeveria. Shpërhapja sistemike e korrupsionti financiar qeveritar i kulmuar ne skandalin e inceneratorëve, korrupsioni politik në shitblerjen e votës ne zgjedhje, abuzimi qeveritar me të dhënat personale (patronazhistët), shpronësimi dhe dhunimi i banesave tëi qytetarëve pa asnjë shperblim, madje duke dhunuar liritë dhe të drejtat e tyre nga një shtet policor,, kanë nevojë për më shumë prova reale të një sistem drejtësie që godet duke zbatuar ligjin njësoj për të gjithë mbi këto shembuj flagrantë të regjimit autokratik. Projektet qeveritare të “paketës antishpifje” apo agjencia e propagandës që ka ngritur qeveria për të eliminuar shtypin e lirë, apo edhe shkeljet flagrante të marrëveshjes së asociim-stabilizimit me rastin e “aeroportit të Vlorës”, tregojnë nevojën urgjente që ka Shqipëria dhe shqiptarët për Europën e vlerave dhe standardeve të demokracisë”, shkruan ai.

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!