I dënuar me burg, Vjosa Osmani kërkon interpretim ligjor nga Kuvendi për deputetin Etem Arifi

schedule19:35 - 5 Maj, 2020

schedule 19:35 - 5 Maj, 2020

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, ka kërkuar nga Kuvendi interpretim ligjor lidhur me mandatin e deputetit Etem Arifi.

Pas raportimit se deputeti Etem Arifi është dënuar nga Gjykata Themelore e Prishtinës me 1 vit e 3 muaj burg për mashtrim me subvencione, Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, menjëherë e ka adresuar këtë çështje në instancat përkatëse meqë deri në ato momente Kuvendit nuk i ishte dërguar asnjë njoftim zyrtar lidhur me këtë rast.

Osmani i ka dërguar letër Këshillit Gjyqësor të Kosovës dhe Gjykatës së Apelit, nga të cilat ka kërkuar që t`i përcillen në Kuvend aktgjykimet nga të gjitha instancat gjyqësore për rastin e deputetit Etem Arifi.

“Siç mund të jeni vënë në dijeni, me 20 prill 2018, z.Etem Arifi ishte dënuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë me dy vjet burgim me kusht, pasi ai ishte shpallur fajtor për veprën penale të mashtrimit me subvencione. Dënimi i z.Arifi, ishte konfirmuar edhe me Aktgjykimin e Gjykatës së Apelit, të datës 20 gusht 2019, me të cilin dënimi me burgim ishte ulur në një vit e tre muaj. Kurse, me 30 janar 2020, Kolegji i Gjykatës Supreme ka vendosur që ta refuzojë si të pabazuar, kërkesën për mbrojtje te ligjshmërisë, të paraqitur nga mbrojtja e z.Arifi, e ushtruar kundër aktgjykimeve të Gjykatës Themelore të Prishtinës dhe asaj të Apelit”, thuhet në letrën e kryeparlamentares.

Osmani ka theksuar më tej se më 30 prill 2020, përfaqësuesi i autorizuar i Etem Arifit ka dorëzuar në Kuvend një memorandum sqarues përmes së cilit paraqet qëndrimin e z.Arifi lidhur me rastin në fjalë dhe implikimet potenciale rreth mandatit të tij si deputet.

Më tej, kryetarja e Kuvendit ka përmendur nenin 70, paragrafi 3, pika (6) të Kushtetutës së Kosovës, sipas të cilit mandati i deputetit mbaron ose bëhet i pavlefshëm, nëse dënohet me vendim gjyqësor të formës së prerë për vepër penale me një ose më shumë vjet burgim.