I akuzuar për korrupsion, SPAK mbyll hetimet për ish-shefin e logjistikës së burgut 313 Florin Ahmetaj

schedule14:34 - 16 Korrik, 2021

schedule 14:34 - 16 Korrik, 2021

SPAK ka përfunduar hetimet për Florin Ahmetajn, ish-përgjegjësin e Logjistikës në burgun 313 në Tiranë. Ahmetaj akuzohet për shkelje barazie në tendera. Ahmetaj regjistroi biznes në emër të kunatit të tij dhe i dha 12 tendera në 14 muaj me vlerë 2.7 mln lekë.

Florin Ahmetaj (Përgjegjës i Sektorit të Logjistikës në IEVP – në “Jordan Misja”, Tiranë), akuzohet për veprat penale të “Shkeljes së barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike” dhe “Shpërdorim i detyrës”, parashikuar nga nenet 258 dhe 248 të Kodit Penal.

Njoftimi i SPAK:

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Tiranë, ka përfunduar hetimet paraprake për procedimin penal nr.89/1 të vitit 2020. Në përfundim të hetimeve paraprake është marrë i pandehur dhe është dërguar për gjykim me masë sigurie personale “arrest në burg”, i pandehuri:

Florin Ahmetaj (Përgjegjës i Sektorit të Logjistikës në IEVP – në “Jordan Misja”, Tiranë), akuzuar për veprat penale të “Shkeljes së barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike” dhe “Shpërdorim i detyrës”, parashikuar nga nenet 258 dhe 248 të Kodit Penal.

Hetimet e këtij procedimi penal kanë evidentuar faktin se:

I pandehuri Florin Ahmetaj, në cilësinë e Përgjegjësit të Sektorit të Logjistikës në IEVP – në “Jordan Misja”, Tiranë dhe anëtar i Komisionit të Prokurimit për Blerje të Vogla në këtë IEVP, ka krijuar në datën 28.01.2019 një person tregëtar fizik, të cilin e ka regjistruar në emër të kunatit të tij. Pas regjistrimit të personit fizik, duke përfituar nga pozita e tij si Shef i Sektorit të Logjistikës në IEVP – në “Jordan Misja” dhe anëtar i Komisionit të Prokurimit për Blerje të Vogla, bën të mundur që në mënyrë të kundraligjshme personi fizik të përfitojë kontrata në disa procedura prokurimi dhe blerje pranë IEVP “Jordan Misja”. Megjithëse një subjekt tregëtar i ri dhe pa eksperiencë, brenda një periudhe 14 mujore subjekti tregtar, person fizik, ka fituar 12 procedura prokurimi dhe blerje, me vlerë rreth 2,7 milion lekë (të reja), të organizuara nga ana e IEVP “Jordan Misja”, Tiranë.

e.l/abcnews.al/ 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!