Skitari Albin Tahiri ka zënë vendin e 15-të nga 27 garues në disiplinën e kombinimit alpin në Lojërat Olimpike Dimërore “Pekini 2022”. Kjo është pozita më e lartë ndonjëherë për Kosovën. Tahiri do të garojë edhe me 13 dhe 16 shkurt në kuadër të olimpiadës dimërore, në sllallom të madh dhe sllallom.
Në një lidhje me Skype për “ABC e Mëngjesit”, ai tregoi shumë të pathëna për publikun shqiptar.
“Kur mora vendimin të ndryshoja kombësinë time në kosovare u bëra skijatori më i mirë i vendit dhe u rritën përgjegjesitë”, tha fillimisht Albini.
Më pas, ai foli dhe për Lojërat Olimpike, duke u shprehur: “Unë jam stërvitur gjatë gjithë jetës sime në fakt dhe nuk ka asgjë të veçantë. Sigurisht që sezoni i Lojërave Olimpike është i rëndësishëm për cdo garues. Por duhet të jemi të kujdesshëm për shkak të koronavirusit.
Kam edhe dy gara ku do të marr pjesë. Tani për tani nuk mund t’ju them se nuk e di sa lojtr do të marrin pjesë. Unë do doja të futesha në 10 më të mirët, por nuk mund t’ju premtoj se nuk e di”.
Sakaq, Albini ndau dhe një moment të vështirë në karrierën e tij, ku ka pasur probleme shëndetësore.
“Duke marrë parasysh trupin tim, kam pasur probleme me kurrizin dhe e shtyva stërvitjen. Jam shumë i kujdesshëm me trupin tim, shkoj në fitnes dhe ushtrohem fort”.
Sa i përket gjuhës shqipe, ai tha: “Më duhet ta pranoj që kjo është pika ime e dobët sepse nëna ime nuk fliste shqip dhe nuk më mësoi. Kur e pyeta babain, më tha kështu është jeta. Tani është shumë e vështirë sepse jetoj në Slloveni dhe këtu nuk ka njerëz që flasin shqip. Jam duke kërkuar për të marrë mësime të gjuhës shqipe”./abcnews.al