Ministri Pandeli Majko ka argumentuar se pozicionimi i “gardës së vjetër” të Partisë Socialiste në fundin e listave të kandidatëve për deputetë, do të thotë më shumë angazhim për të mbledhur sa më shumë vota. Majko u shpreh se pozicionimi i tij në vendin e 19 në listën e Tiranës, është një mesazh për të gjithë votuesit socialistë.
Në rast të humbjes së Partisë Socialiste dhe kalimit në opozitë, Pandeli Majko argumenton se mbështetësit e tyre do të rrezikonin vendin e punës, prandaj është aplikuar skema që kandidatët e rinj të jenë më të përfaqësuar duke u pozicionuar në krye të listës.
“Sepse atje janë dhe shumë kolegë të mi. Të gjithë kemi përcjellë mesazhin që ne nuk mund të mbledhim vota në kurriz të kolegëve tanë më të rinj. Në qoftë se Partia Socialiste do të kalojë në opozitë, atëherë ne do të jemi të rrezikuar. Dhe ky është një rrezik që ne e ndajmë me të gjithë komunitetin e njerëzve që na rrethojnë.
Nëse do ishim në vende te sigurta dhe do bënim sehir duke parë nga lart poshtë, nuk besoj se kjo do na vinte në pozitë shumë të mirë. Aktualisht të gjitha ata që janë vendosur në vijën e zjarrit kanë vetëm një mesazh për t’i dhënë gjithë njerëzve: Ne po rrezikojmë sepse i gjithë komuniteti i votuesve tanë po rrezikon.
Imagjinoni nëse PS kalon në opozitë, goditjen kryesore nuk kanë për ta marrë deputetët e Partisë Socialiste, kanë për ta marrë njerëzit të cilët për shumë arsye dhe për hiç arsye do të pushohen nga puna. Këtë e dimë, është një histori e njohur, e shkruajtur dhe e pashkruajtur. Vetë Rama është në mesin e listës. Nëse këtë e ka bërë për veten e vetë, ne të tjerë pse duhet t’i kërkonim llogari. Rëndësi ka të fitojmë zgjedhjet dhe të jemi mburojë e njerëzve tanë”, u shpreh ndër të tjera Pandeli Majko.
Por, çfarë do bëjë Pandeli Majko nëse humb PS? “Do të vazhdoj jetën time normale”, kështu u përgjigj ministri i Diasporës.
“Do të vazhdoj jetën time normale, dhe do ndihem i kënaqur se në fund fare do kem të njëjtin fat si socialistët që do kalojnë në opozitë. Njerëzit e kanë të rëndësishme të shikojnë greminën për të rivlersuar atë që po ndodhë”, tha ministri.
Pandeli Mjako ka reaguar edhe për publikimin e Presidentit serb Vuçiç që përfshinte hartën e Kosovës në flamurin e Serbisë. Majko tha se Vuçiç po mundohet të marrë retorika ekstreme nga Prishtina, por qetësia e Prishtinës flet më shumë se çdo lloj deklarate.
“Histori e cila zhvillohet për problemaktikat e brendshme në marrëdhëniet e qeverisjes së Vuçiç me publikun serb. Në marrëdhëniet ndërkombëtare ai bëri një gabim të rëndë në këtë fazë që ndodhet statusi i Serbisë me palë të treta. Vuçiç po mundohet të marrë retorika ekstreme nga Prishtina. Por qetësia e Prishtinës ka folur më shumë se çdo lloj deklarate.”
Ai shtoi se pas kësaj duhet kuptuar që dialogu mes Prishtinës dhe Beogradit do të ketë vështirësi të mëdha na vazhdim, dhe jo për fajin e Prishtinës.
Ndërsa, duke komentuar situatën politike në Kosovë, Majko tha se pas arrestimeve të Hagës, kjo qeveri duhet të qeverisë dhe të ruaje statuskuonë.
“Mendoj që pas arrestimeve të bujshme të Hagës, edhe ata që janë kundërshtarë besoj se e njohin që kjo qeveri do të duhet të qeverisë dhe të ruaje këtë statuskuo edhe në negociatat në vazhdim me Beogradin zyrtar. Mendoj që parlamenti i ri dhe qeveria në Kosovë do të dijnë ti kthejnë gjuhën e merituar Beogradit.”
Mjako në vazhdim foli dhe për Kryeministrin e zgjedhur Albin Kurti dhe u shpreh me fjalët se “mendoj që ai është i qartë se çfarë ka përpara, ka detyra të vështira dhe ne duhet vetëm ti urojmë sukses.” / Klan News