Hysajt i buzëqesh fati/ Mbrojtësi i Kombëtares pritet që të vazhdojë te Lazio

schedule12:01 - 13 Qershor, 2025

schedule 12:01 - 13 Qershor, 2025

Kur e nisi me këtë teknik, ishte fare i ri. Elseid Hysaj ishte vetëm 19 vjeç kur veshi fanelën e ekipit të parë të Empolit të drejtuar nga Mauricio Sarri, dhe që nga ajo kohë kjo dyshe mbeti e pandarë.

Në rreth 12 sezone, mbrojtësi shqiptar dhe trajneri italian kanë qenë shumicën e kohës së bashku, dhe kështu pritet të ndodhë përsëri.

Sarri do të jetë sërish në stolin e Lacios, skuadrës ku aktualisht ndodhet edhe 31-vjeçari kuqezi, i cili kaloi vështirësi të shumta edicionin e kaluar.

U përjashtua nga ekipi prej trajnerit Barone, më pas u rikthye në janar të këtij viti duke e treguar veten gjatë fazës së dytë me lojën në mbrojtje dhe me tre asiste për gol.

Gjithsesi, e ardhmja e tij pritej larg skuadrës kryeqytetase, diçka që sipas të gjitha mundësive do të ndryshojë.

Sarri e ka Hysajn lojtarin e tij më të preferuar.

Nën drejtimin e tij, mbrojtësi shqiptar ka luajtur plot 346 ndeshje tek Empoli, Napoli dhe Lacio, me një diferencë të madhe me çdo futbollist tjetër në karrierën e teknikut.

Mbrojtësi I djathtë ka qenë vazhdimisht titullar me 66-vjeçarin napolitan, provë e qartë se përshtatej plotësisht me skemat dhe me filozofinë e tij për futbollin.

Edhe gjatë muajve të gjysmës së parë të këtij viti, Hysaj mori vlerësime mjaft pozitive për paraqitjet e tij në Serinë A, ndërsa ishte gjithashtu më I miri në fushë në ndeshjen që kombëtarja shqiptare barazoi 0-0 ndaj Serbisë në “Arenën Air Albania” në eliminatoret e Kupës së Botës.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!