Elseid Hysaj ka lënë pas dëmtimin dhe është gati për dy ndeshjet kundër Andorrës dhe Francës. Kapiteni i kombëtares ka dalë në konferencën për shtyp përkrah trajnerit Reja, aty ku flet për dy ndeshjet e fundit të eliminatoreve të Euro 2020.
“Jemi shumë të bashkuar, jemi një grup fantastik me djem të rinj. Trajneri po krijon një grup të mirë për të ecur përpara. Jam mirë, luajta tani në Itali në ndeshjen e fundit. Jam mirë fizikisht. Po mendojmë më shumë për Andorrën, sepse është sfidë më e vështirë për ne ndeshja e parë.
Të gjithë mendojnë për Francën, por problemi është se duhet të mendojmë për Andorrën në mënyrë që të mbledhim sa më shumë pikë dhe të arrijmë rekordin e pikëve që kemi mbledhur ndonjëherë.
Sai përket Francës, e dimë të gjithë që stadiumi do të jetë shumë i bukur. Do jetë plot me tifozë, do të jetë një emocion ndryshe, por Franca ka kampionë bote. Do jetë e vështirë të marrim pikë, por do kemi një dorë më shumë nga tifozeria. Sa më afër të jenë tifozët, të cilët janë të nxehtë, aq më shumë do të na japin dorë për të fituar sa më shumë pikë në vijim.
Të gjithë po flasin për Francën, por ne e dimë mirë që ndeshja me Andorrën është më e rëndësishme. Jemi të qetë, më pas do mendojmë për Francën. Do luajmë taktikisht si me Moldavinë, do tentojmë të sulmojmë, do përpiqemi të mos pësojmë gol, mbrojtësit tanë po aktivizohen titullarë në skuadrat e tyre. Duhet të jemi të qetë dhe të presim momentin e duhur.
Tifozët? Ata na motivojnë gjithmonë për të ecur përpara. Shpresoj që stadiumi të jetë gjithmonë plot dhe të kemi ndjesinë që luajmë në shtëpi. U bëj thirrje tifozëve të na mbështesin kundër Andorrës dhe Francës“, përfundon Elseid Hysaj. /abcnews.al