Hysa: Ju rrëfej se si një i verbër “shpiku” komentin për futbollin

schedule23:43 - 8 Dhjetor, 2021

schedule 23:43 - 8 Dhjetor, 2021

Kreu i Shoqatës së të Verbëve, Ardjan Hysa, ka treguar se është shumë i apasionuar pas futbollit. Madje, ai bën humor me miqtë e tij, kur thotë se, gjatë debatit për futbollin, asnjë nga ata nuk thotë se ka dëgjuar fubollin.

“Pashë ndeshjen, themi ne, duke përfshirë kështu gjithë imagjinatën tonë për lojën e futbollit. Unë jam shumë tifoz dhe më pëlqejnë debatet për sportin. Dhe kur dëgjoj një koment më duket sikur po e  rishoh ndeshjen”, tha Hysa.

Madje ai rrëfeu edhe historinë e shpikjes së komentimit të futbollit, kur rrëfeu se historia e komentit të ndeshjeve ka lindur në Britani, kur babai shoqëronte fëmijën e tij të vwrbër në stadium dhe i komentonte lojën duke i shpjeguar se kush e merrte topin dhe se si shkonte historia e ndeshjes.

“Ky koment, që bënte babai për ndeshjen e emocionoi aq shumë të birin, por edhe njerëzit përreth, sa historia u përhap dhe kjo, thuhet se ka shënuar edhe nisjen e komenteve në radio, më pas në televizione, ku sot komentohet jo vetëm ndeshja, por çdo gjë për lojtarët”, u shpreh Hysa.

Ai shpjegoi edhe procesin e ëndërrimit të tij, që nuk ka perceptimin e ngjyrave dhe objekteve. “Ne të verbërit që nuk kemi perceptimin e ngjyrave, të objekteve, të botës, ëndërrojmë me zë. Unë ëndrrat e mia i kam si një shirit i regjistruar, me zë. Nuk kam ngjyra e as objekte. Por ama  ëndrra ime më e madhe ka qenë të integrohesha, dhe këtë integrim besoj se e kam arritur me shumë ngjyra”, tha Hysa në “Refleksione” në ABC.

Ai rrëfeu se si, bashkë me të tjerë, kanë nisur një betejë, që të garantojnë të drejtat e tyre, të përfaqësohen. “Komuniteti ynë ka shumë sfida. Por, ashtu si unë, ka edhe shumë të vërbër të tjerë që janë të arsimuar dhe integruar dhe që janë gati të marrin përgjegjësi në shoqëri”, tha Hysa, duke i bërë thirrje shoqërisë që të bëjë gjithçka për të kuptuar se, integrimi do të ishte drita më e madh, shikimi më i madh që mund t’i falej për situatën ku ata ndodhen.

“Integrimi na jep dinjitet dhe ne jemi njerëz që kërkojmë dinjitet, jo mëshirim për jetët tona. U kërkoj të gjithë atyre që janë sot në politikë apo institucione,  që nuk e shikojnë shtresën e njerëzve në nevojë, që të hapin sytë për të na krijuar mundësinë që ne të jetojmë me dinjitet”, tha Hysa./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!