Hysa drejt majës së botës/ Boksieri shqiptar synon brezin e artë profesionist, në 8 shkurt mbron titullin kampion evrope

schedule16:56 - 8 Dhjetor, 2024

schedule 16:56 - 8 Dhjetor, 2024

Takimin e radhës me historinë e ka në 8 shkurt.

Nelson Hysa po I afrohet gjithnjë e më shumë ëndrrës së tij për t’u ngjitur në majë të hierarkisë së peshave të rënda të boksit profesionist, madje me një shpejtësi që po e habit edhe atë vetë.

Në moshën 40-vjeçare, boksieri shqiptar përgatitet si kampion I Europës për të mbrojtur titullin në Federatën WBO, ndërsa ka marrë një ftesë të veçantë.

Ndërsa përgatitet në pistën e atletikës në kryeqytet, ashtu si edhe në palestër, shkodrani vlerëson lart faktin se do të jetë pjesë e një organizimi gjigand, të quajtur “sezonet saudite”, me financim nga sheikët e Arabisë, dhe nën udhëheqjen e promotorit më të shquar të botës, britanikut Frenk Uorren, I cili menaxhron yllin e peshave të rënda, Tajson Fjuri.

Uorren e ndoqi Hysën në fitoren e fundit arritur në Londër ndaj argjentinasit Brakamonte, madje që në raundin e dytë.

Pas kësaj, Nelsoni mori ftesën për në turneun e madh, I pari shqiptar që arrin deri këtu.

Në 22 nëntor, ai e mbrojti për herë të parë titullin europian, ndërsa tani do ta bëjë në 8 shkurt të vitit të ardhshëm sërish në Britaninë e Madhe, veçse në ringun e Mançesterit.

Disa kohë më parë, ndërsa fliste gjithashtu për Abc News, Hysa thoshte se objektivi më real për të ishte që të arrinte në 20 të parët e botës, sepse për të hyrë në 10-she, ishte shumë e vështirë, dhe duhej të kombinoheshin siç duhet shumë rrethana.

Fakti që ai është shqiptar, që është 40 vjeç, dhe që boksi kuqezi nuk ka pasur lidhje të forta me menaxherët dhe drejtuesit e federatave si WBO, WBA, WBC apo IBF.

Gjithsesi, në rast fitore ndaj rivalit të radhës, ai do të jetë brenda 10-es, diçka e pamendueshme deri pak kohë më parë.

Nelson Hysa e ka nisur shumë vonë karrierën në profesionizëm, ndonëse në boksin amator ka dalë mbi 20 herë kampion I Shqipërisë.

Nga shtatori I vitit 2022 e deri sot, ai ka arritur 19 fitore, nuk ka pësuar asnjë humbje dhe nuk ka asnjë barazim.

Paraqitjet e tij gjithmonë kanë qenë të shkëlqyera, me 90 për qind të sfidave që kanë përfunduar me nokaut, madje që në raundet e para.

Tashmë, Nelsoni është në një nivel krejt tjetër, dhe suksesi në 8 shkurt në Mançester do t’i jepte mundësi të luftonte me gjigandë si Fjuri, Parker, Çang, Dubua apo Xhoshua, për të arritur ndoshta te kampioni I sotëm absolut I botës, ukrainasi Oleksandr Usik.

A mendon ai se mund t’ia dalë në një nivel të tillë?

Hysa ka të paktën dy muaj që përgatitet për të qenë gati në 8 shkurt, dhe besohet se etapa më e madhe e karrierës së tij nis pikërisht pas asaj mbrëmjeje në Mançester.

Ku I dihet, ndoshta edhe Shqipëria e vogël do të ketë një kampion botëror në peshat e rënda të boksit profesionist, që do të marrë atë brez të artë që kanë pasur dikur Muhamed Aliu, Xhorxh Foremani, Majk Tajsoni, Evander Holifildi, Lenoks Ljuisi apo vëllezërit Kliçko, ndërsa sot e ka një boksier klasi si Oleksandr Usik. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!