Llapi po përjeton një nga periudhat më pozitive të historisë së klubit, teksa në një periudhë të shkurtër arriti të fitojë Kupën dhe Superkupën e Kosovës.
Mbrëmjen e nesërme skuadra nga Podujeva nis sezonin e ri me një ndeshje ndaj debutuesve të Ulpianës dhe drejtuesit e klubit kanë marrë vendimin fisnik, që tifozët të mund të hyjnë pa pagesë në stadium dhe të mbështesin në masë skuadrën e tyre.
“Arsyeja që kryesia e klubit ka vendosur që hyrja të jetë pa pagesë në këtë ndeshje është mungesa e gjatë e tifozëve tanë në mbështetje të skuadrës.
Një tjetër arsyeje që biletat për këtë ndeshje do jenë falas është mbështetja e ofruar në ndeshjen e Superkupës, ku arritëm ta fitonim trofeun e dytë brenda vitit, andaj KF Llapi u fton të merrni pjesë në përkrahje të skuadrës së zemrës gjatë gjithë ndeshjeve të kampionatit të ri”, thuhet në njoftimi e klubit.
Ndeshja mes Llapit dhe Ulpianës do të zhvillohet në Merdare për shkak se në stadiumin “Zahir Pajaziti” po vazhdon puna në vendosjen e tapetit të barit natyral. /abcnews.al