Përveç “Legjionarëve” tanë, për një biletë, që i dërgon në fazën me eleminim direkt, të Kampionatit Evropian të futbollit, Euro 2024 do të “luftojë” edhe Kroacia, e cila ndodhet në vendin e fundit të Grupit B, me 1 pikë dhe këtë të hënë do të përballet me “Të Kaltërit” e Italisë, ku një fitore ndaj tyre do t’i siguronte kualifikimin.
Megjithatë, kampionët në fuqi të Evropës, duket se këtë arritje nuk e “falin” kollaj, teksa, në konferencën për shtyp, së bashku me tekniku, Luciano Spalletti ishte edhe qendërmbrojtësi i talentuar, Alessandro Bastoni, i cili është shprehur se pavarësisht së gjithave dhe pozicionit që kanë në grup, në fushë do të futen për të fituar.
Konferenca për shtyp e qendërmbrojtësit Alessandro Bastoni:
Nuk e prisnim një humbje si kjo, ndaj Spanjës por mund të na bëjë mirë. Gjithmonë mund të kuptosh diçka nga disfatat, ne e kemi analizuar mirë dhe e dimë atë që nuk duhet të përsërisim gabimet
Do të përpiqeni ta dominoni lojën ndaj Kroacisë?
Këtë vit kam përjetuar tashmë një situatë të ngjashme ku mjaftoi një barazim, në Champions League kundër Atleticos së Madridit. Ne duam të shkojmë për të fituar, është gjithashtu e rëndësishme nga pikëpamja mendore.
Çfarë moduli do të përshtatni?
Do të nisemi nga ajo që kemi bërë në ndeshjet e kaluara, sigurisht duke perfeksionuar lëvizjet e gabuara. Do të mundohemi të imponojmë lojën tonë.
A do të shënoni një gol tjetër në një moment të vështirë?
Nuk ka shumë rëndësi emri, ajo që ka rëndësi është të kalojmë grupin, sepse të gjithë e meritojmë. Ne duam të bëjmë mirë.
Nesër do të mjaftojë edhe një barazim…
Kam përjetuar situatën kur na mjaftoi një barazim në Champions League kundër Atleticos së Madridit dhe nuk shkoi shumë mirë. Absolutisht nuk do të jetë kështu, ne duam të shkojmë në fushë për të fituar. Gjithashtu do të jetë i rëndësishëm në nivel mendor pas humbjes kundër Spanjës.