Prokurori i Përgjithshëm i SHBA, Merrick Garland po emëron një këshilltar special për të hetuar Hunter Biden, djalin e presidentit amerikan, i cili dyshohet se është përfshirë në marrëveshje të paligjshme biznesi jashtë shtetit ndërsa presidenti përgatitet për zgjedhjet e 2024.
Garland njoftoi të premten se David Weiss, i cili ka hetuar marrëdhëniet financiare dhe të biznesit të Hunter Biden, do të ishte këshilltari special. Emërimi vjen me kërkesë të Weiss. Emërimi i jep atij autoritet shtesë për të hetuar nëse djali i presidentit ishte i përfshirë në marrëdhënie biznesi të pahijshme.
Garland tha se këshilltari i posaçëm do të përgatisë një raport dhe se Departamenti i Drejtësisë do ta bënte atë publik sa më shpejt të jetë e mundur. “Pas shqyrtimit të kërkesës së tij, si dhe rrethanave të jashtëzakonshme në lidhje me këtë çështje, kam arritur në përfundimin se është në interesin publik që ta emëroj atë si këshilltar special”, tha Garland.
Kujtojmë që djali i presidentit pranoi të deklarohej fajtor për akuzat federale të tatimit mbi të ardhurat në një marrëveshje që bëri me Departamentin e Drejtësisë së SHBA-së, që do ta lejonte atë të shmangte një gjyq dhe dënim për një akuzë lidhur me posedimin e armëve në një rast të veçantë.
Megjithatë, marrëveshja u prish në gjykatë muajin e kaluar, kur një gjykatës federal shprehu shqetësimin lidhur me akuzat për armë dhe pasigurinë nëse marrëveshja i jepte Hunter Biden mbrojtje nga akuzat e ardhshme.
Përveç tre akuzave të ngritura kundër tij, republikanët kanë akuzuar Hunter Biden në Kongres për shfrytëzimin e fuqisë politike të babait të tij për përfitime në marrëdhëniet me Ukrainën dhe Kinën./abcnews.al