Hungaria para votimit europian! Orban në rrezik

schedule09:54 - 7 Qershor, 2024

schedule 09:54 - 7 Qershor, 2024

Për herë të parë prej vitesh partia e tij mund të ketë humbje të ndjeshme në zgjedhje, ndaj kryeministri i Hungarisë, i ka kthyer zgjedhjet europiane në çështje për luftë a paqe.Kur Hungaria ndodhet para zgjedhjeve, Viktor Orban fillon të përhapë teori të çuditshme konspiracioni. Këto ditë, pak para votimeve europiane, përrallat e kryeministrit hungarez janë që: Qendra e BE-së në Bruksel është blerë nga miliarderi amerikan me origjinë hungarezo-hebreje, George Soros.

Sorosi ka në plan dërgimin e njerëzve nga Europa për të luftuar kundër Rusisë. Mbas vdekjes së tyre në fushën e betejës, miliona vetë që nuk janë migrantë europianë do të vijnë të ngulen në kontinent. Në këtë mënyrë kombi hungarez do të pushojë së ekzistuari.

Këtë imazh tregoi Viktor Orban të shtunën e kaluar (01.06.2024) gjatë së ashtuquajturës „ Marshim i paqes” në Budapest, kur foli para idhtarëve të tij në kuadër të zgjedhjeve europiane. Kemi të bëjmë me votime historike, me anë të të cilave do të merret vendimi nëse kontinenti do të sundohet nga paqja apo nga lufta, tha kryeministri hungarez në fjalimin e tij. Qeverinë e tij Orbani e quajti qeverinë e vetme në Europë, që lufton për paqen. Por, ekziston edhe një shans që „Forcat e paqes” të fitojnë në votime. Parrulla e Orbanit në fushatë: „Të pushtojmë Brukselin! Pa migracion, pa problemet gjinore, pa luftë!”

Në zgjedhjet e fundit parlamentare partia e Orbanit, Fidesz arriti të merrte dy të tretat e shumicës së parlamentit, në zgjedhjet europiane të 2009-ës, Fidesz arriti të merrte më shumë se 50 përqind. Por kësaj here mund të jetë ndryshe, sepse tani kryeministri hungarez ndodhet për herë të parë kundrejt një kundërshtari serioz.

E reja në Hungari: Partia Fidesz ka konkurrencë serioze

Konkurrenti quhet Peter Magyar. Ai është ish- bashkëshorti i ish-ministres së Drejtësisë së Orbanit, Judit Vargës dhe deri para pak muajsh ka qenë gati i panjohur për publikun hungarez. Por që prej shkurtit të sivjetëm, avokati 43 vjeçar ka pasur një ngjitje politike thuajse si me kometë.Disa herë ai ka nxjerrë në rrugë dhjetra mijëra vetë që kanë demostruar kundër sistemit të Orbanit. Me partinë e tij konservatore Tisza (shkurtimi i inicialeve për: Respekt dhe Liri) ai ka arritur të marrë në sondazhe nga 25 deri 30 përqind, ndërkohë që partia Fidesz e Orbanit merr më shumë duke arritur në 45 përqind, por sipas disa sondazheve mund të bjerë deri në nivelin e 40 përqindshit.

“Kemi të bëjmë me një situatë krejt të re, të veçantë,” thotë politologu Gabor Török për portalin hungarez,Telex. “Që dikush të dalë nga hiçi dhe të marrë papritur mbështetje kaq të madhe duke luftuar pushtetmbajtësin, kjo nuk ka ndodhur kurrë në politikën hungareze.”

Peter Magyar – dikush që largohet vërtet nga sistemi i Orbanit?

Ngjitja e Magyarit filloi në shkurt 2024 pas një afere të presidentes së atëhershme hungareze të shtetit, Katalin Novak. Ajo i pati dhënë falje një të dënuari për bashkëpunim në abuzimin seksual të fëmijëve. Kjo shkaktoi zemërim të madh të publikut, sidomos sepse ajo, Orbani dhe shokët e tjerë të partisë e heqin veten si mbrojtës pa asnjë njollë morale të fëmijëve dhe shpesh akuzojnë kundërshtarët politikë se kërkojnë të legalizojnë abuzimin e fëmijëve. Në kuadër të aferës presidentja e shtetit, Novak, dha dorëheqjen. Njëkohësisht edhe ish-ministrja e Drejtësisë, Varga u largua nga politika, sepse edhe ajo e kishte firmosur faljen. Në momentin e tërheqjes nga politika ajo ishte në krye të listës së kandidatëve të Fidesz-it për zgjedhjet europiane.

Ish-bashkëshorti i Vargas, Peter Magyar, që deri tani ka pasur në aparatin e Orbanit poste që nuk bien në sy por që kanë rëndësi, e përdori aferën për “t’u larguar nga sistemi”, si tha ai. Në shumë intervista që kanë tërhequr vëmendjen ai ka zbuluar informacione të brendshme për mekanizmat e pushtetit dhe korrupsionin e sistemit të Orbanit. Megjithëse asgjë prej atyre që ka thënë ai nuk është gjë e re me tërë mend, intervistat prodhuan shumë kryeartikuj në Hungari, sepse Magyari ishte një i brendshëm që nxorri të palarat.

Pse ngjall dyshime ylli i ri politik hungarez Magyar?

Avokati hiqet sikur është dikush që është larguar me vërtet nga sistemi i Orbanit, por ka zgjuar deri tani dyshime për këtë. Në kohën kur ka qenë ende bashkëshorti i gruas së tij Judit Varga, ai ka inçizuar pa dijeninë e saj një bisedë private që ka pasur me të, në të cilën ajo duke qenë ende ministre Drejtësie flet në mënyrë kompromentuese për sistemin e Orbanit. Magyar e publikoi këtë bisedë në mars të 2024, po ashtu pa marrë aprovimin e saj.

Në politikë ai është ngjitur nëpërmjet një „partie të ngordhur”. Meqenëse afatet për zgjedhjet europiane mbaronin pas pak kohe, ai mori në dorë menjëherë një parti të vogël, deri para pak kohe inaktive, të krijuar në vitin 2021, partinë Tisza.

Magyar shpesh bën akuza personale, të nxira keq dhe që janë të pamundura të verfifikohen kundër përfaqësuesve prominentë të sistemit të Orbanit. Ai u shmanget pyetjeve që bëhen për këto akuza dhe praktikisht nuk ka pasur kurrë dëshmi për to.

Shumë pakënaqësi për sistemin e Orbanit në Hungari

Megjithatë duket se Peter Magyar ka prekur një nerv të shoqërisë hungareze. Për shembull, kur thotë, se vetëm pak sipërmarrës dhe familje që ndodhen afër me Orbanin sundojnë pjesën më të madhe të ekonomisë hungareze. Ose kur shpall se kërkon të vendosë rregull në sistemin e arsimit dhe të shëndetësisë, që janë administruar keq.

Partitë deri tani opozitare, kryesisht liberale nuk kanë mundur të përfitojnë nga kjo atmosferë vitet e kaluara. Ato janë të përçara dhe nuk kanë program bindës. Shumë hungarezëve ato u kujtojnë qeveritë po ashtu shumë të korruptuara social-liberale të ish-kryeministrit Ferenc Gyurcsany, që ka qenë në pushtet nga 2002 deri 2009. Gyurcsany, sot kryetar i partisë social-liberale të Koalicionit Demokratik (DK), nuk ka arritur të shkëputet nga politika. Për shumë hungarezë ai ka qenë arsyeja pse ata nuk shkonin të votonin, gjë nga e cila ka përfituar Orbani me kampet e tij të disiplinuara të votuesve.

Fideszi i Orbanit: pa tema, por me probleme ekipi

Politikani i sapodalë Newcomer, ultrakonservatori, Peter Magyar përfaqëson në shumë drejtime qëndrimet politike të Fidesz-it të Orbanit, megjithëse pa demagogjinë përkatëse nacionaliste. Ai kritikon përshembull demokracinë e Bashkimit Europian, por nuk nxit urrejtje kundër Europës. Këto qëndrime e bëjnë atë interesant për votuesit e pavendosur ose mbështetësit e zhgënjyer të Orbanit.

Prandaj kryeministri i Hungarisë dhe partia e tij, Fidesz, kanë dalë për herë të parë që prej shumë vitesh në pozicion politik mbrojtës, shpjegon politologu Gabor Török. “Së pari, Fidesz ka kohë që ka probleme me sundimin e opinionit publik me tema të caktuara, ka muaj që prej tyre nuk po del asgjë,” thotë Török duke folur për Telex. “Përveç kësaj, Fidesz ka pasur muajt e fundit probleme me ekipin”, thotë politologu duke pasur parasysh dorëheqjet e dy politikanëve popullorë, Novak dhe Varga.

Dhe pa humbur kohë krijohet për Orbanin problemi tjetër me ekipin. Bëhet fjalë për presidentin e ri të shtetit, Tamas Sulyok, që ndodhet në post vetëm prej disa javësh. Duke qenë avokat, ai mendohet të ketë ndihmuar në vitet 1990 dhe 2000 shitjen me anë të sekserëve të tokës agrare hungareze, firmave të huaja.

Njësoj si në temën e abuzimit të fëmijëve edhe për këtë temë Orbani dhe partia e tij shfaqin sërish problemin e moralit të dyfishtë, sepse Fidesz ka pas luftuar dikur me forcë kundër „mafias së tokës” dhe „shitjes së tokës hungareze tek të huajt”.

Deri tani Orbani ka zgjedhur kryesisht strategjinë e të mos folurit. Ai nuk e përmend emrin e konkurrentit, Peter Magyar. Por kërcënon se: Kush ia jep votën opozitës, ia jep votën luftës, dhe rrënimit të kombit hungarez. /DW

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!