Humbja ndaj Kastriotit mund të rezultojë fatale për trajnerin e Dinamos, Bledi Shkëmbi. Një humbje që “dhemb” shumë te blutë e kryeqytetit të cilët tashmë janë në “vorbullën” e mbijetesës.
Pas ndeshjes tekniku i Dinamos, Shkëmbi paralajmëroi largimin e tij nga drejtimi i skuadrës, ku u shpreh se merr përgjegjësitë mbi vete dhe se do të ketë një takim me presidentin e ekipit.
“Mendoj se jemi munduar t’i ndryshojmë skuadrës atë për të cilën vuajmë, por edhe sot nuk bëmë atë që duhet të bënim. Nuk arritëm të kalonim në avantazh në pjesën e parë. Moment i vështirë, moment i keq, po kthehen hijet e ndeshjeve të para.
Duhet të reflektoj edhe unë, do flas me presidentin dhe do bëj më të mirën për klubin. Me qetësi do vendosim se çfarë do të bëjmë. I falënderoj çunat, arritëm të bëjmë maksimumin në një fushë të vështirë, ndeshje dhe arbitër të vështirë.
Nuk është dorëzim, por duhet të flasim me presidentin për të vendosur më të mirën, se çfarë duhet të bëjmë. Kam bërë maksimumin, nuk mendoj se jam trajneri më i mirë, por kam qenë serioz, kam bërë punë të pastër, por trajneri matet me rezultate. Kjo është e vetmja arsye pse them se duhet të flas me presidentin.
Unë mendoj se skuadra mundohet të më ndjekë. Kemi pasur shumë probleme, shumë mungesa, ndeshje të ngjeshura, lojtarët e ardhur nuk kanë qenë në kondicion fizik. Në disa momente kemi pasur edhe fatin kundër, por nuk mund të kaloj fajin te lojtarët. Përgjegjësi kryesor jam unë, nuk mundohem të gjej fajtorë.
Në pjesën e dytë na ra përqendrimi, edhe pse në pushim u morëm shumë me përqendrimin dhe vazhdimin e luftës që po bënim në pjesën e parë”, përfundoi trajneri i Dinamos. /f.a/abcnews.al