“Humbje e madhe për politikën dhe shoqërinë”, Guvernatori Sejko reagon për vdekjen e ish-Presidentit

schedule16:37 - 28 Maj, 2022

schedule 16:37 - 28 Maj, 2022

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko ka shprehur ngushëllimet e tij për ndarjen nga jeta të ish-Presidentit Nishani.

Sejko shkruan se vdekja e Presidentit Nishani është një humbje e madhe si për politikën ashtu edhe për shoqërinë shqiptare.

“Me hidhërim të thellë mësova sot për largimin e parakohshëm nga jeta të Presidentit Bujar Nishani. Shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjarët,  bashkëpunëtorët, kolegët dhe miqtë!

Vdekja e Presidentit Nishani është një humbje e madhe për politikën dhe shoqërinë shqiptare, të cilave ai u shërbeu me përkushtim, ndershmëri dhe thjeshtësi prej dekadash. Prehu në paqe President Bujar Nishani!”, shkruan Guvernatori. 

Ish-Presidenti i Republikës, ka ndërruar jetë mëngjesin e sotëm, një muaj pasi ishte shtruar në gjendje të rëndë në një spital në Gjermani. Situata shëndetësore e ish-kreut të shtetit u rëndua pas infektimit të tij me COVID-19 dy muaj më parë. Ai vuante nga një sëmundje autoimune në mëlçi dhe nuk arriti t’i tejkalojë pasojat që virusi famëkeq i ka lënë në organizëm.

Lexo edhe: VIDEO/ “Mos”, demokratët tronditen kur marrin vesh Live lajmin për vdekjen e ish-Presidentit

Siç ka raportuar Abcnews.al Nishani u paraqit në Sanatorium me shenja pneumonie në të dyja mushkëritë për shkak të kalimit të koronavirusit, i cili kishte lënë pasoja të tjera shëndetësore. Pas përkeqësimit të gjendjes së tij shëndetësore, më 22 prill, Nishani u nis drejt Gjermanisë për mjekim, ku edhe dha frymën e fundit pranë familjarëve në moshën 56 vjeçare.

Burime për Abc bënë me dije se Nishani ka pasur fibrozë post COVID, të cilat i kanë shkaktuar ulje të nivelit të oksigjenit në gjak si edhe parametra të tjera problematikë duke bërë të domosdoshme dërgimin e tij jashtë./abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!