“Humbja nuk është dramë e madhe”, Daja: Nuk kemi përse ta ulim kokën

schedule21:36 - 26 Tetor, 2023

schedule 21:36 - 26 Tetor, 2023

“Kazakët” e Astana kanë arritur të surprizojnë “dardanët” e Ballkanit mbrëmjen e kësaj të enjteje, teksa në mitikun e Prishtinës, “Fadil Vokrri” i kanë mundur djemtë e teknikut Ilir Daja, me rezultatin e ngushtë, 1 me 2.

Pas kësaj sfide, një koment të shkurtër e ka bërë edhe tekniku Ilir Daja, i cili për mediat pas disfatës u shpreh se ai dhe “dardanët” e tij, nuk kanë pse ta ulin kokën, pasi zhvilluan një performancë të kënaqshme pavarësisht gjithçkaje.

“Pas gjithë fitoreve në ‘Fadil Vokrri’ erdhi një humbje që është e pritshme në futboll. Humbja erdhi në momentin tonë më të mirë. Nuk është dramë e madhe, sepse kemi bërë shumë. Por humbja erdhi edhe për meritë të kundërshtarit. Ishte ditë jo e mirë për ne për mënyrën se si humbnim topat në pasimin më të thjeshtë.

Shumë aksione të kundërshtarit u ndërtuan nga gabimet tona. Natyrshëm, nuk kemi pse ta ulim kokën, sepse kemi bërë gjithë atë histori. Ndoshta nuk ishte ky momenti për të humbur. Ne bëmë gabime në pasime të thjeshta dhe kundërshtari e shfrytëzoi duke marrë kontrollin e lojës. Por, sot jam krenar me futbollistët e mi, ashtu siç kam qenë edhe para një jave, edhe para dy jave.

Kjo humbje nuk besoj se do të ndikoj ndonjë gjë te ne sepse në fund fare, kemi bërë dy herë historinë, me dy pjesëmarrje në fazën grupore. Kjo është historia më e madhe. Nuk ka qenë rastësi sepse ndodhi dy herë rresht. Kur ka vazhdimësi, nuk ka arsye për ta ulur kokën, sepse rezultati i pranon tri rezultatet”, përfundoi trajneri Ilir Daja. /i.m /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!