“Legjionarët” tanë zhvilluan një ndeshje “magjike” mbrëmjen e kësaj të enjteje që sapo lamë pas në mitkun “Air Albania”, teksa mundën me rezultatin e thellë, 3 me 0, duke “blinduar” kështu vendin e parë në grupin E, të vlefshëm për fazën kualifikuese të Kampionatit Evropian të futbollit, Euro 2024.
Pas humbjes, tepër i trishtuar, dukej të ishte dhe kapiteni i Kombëtares çeke, Tomas Soucek, i cili u shpreh se disfata turpëruese ndaj “legjionarëve” tanë dhemb shumë dhe sipas tij momentin që e “vrau” entuziasmin e çekëve ishte pikërisht kartoni i kuq ndaj “bomberit”, Mojmir Chytil.
“Humbëm, na vjen keq. Ne pësuam gol me gjuajtjen e parë në portë dhe ishte e vështirë që të kthehej. U gëzuam kur shënuam golin, por si përfundim mbetëm me 10, gjë që e “vrau” ndeshjen për ne. Në pjesën e dytë ne dhamë gjithçka në fushë, por përsëri ata gjetën gola me kundërsulme, na vjen të gjithëve keq se si përfundoi kjo ndeshje.
Kartoni i Kuq? Si kapiten shkova menjëherë te gjyqtari, ai më tha se u vendos nga VAR-i. Në fund na tha që ishte prekje e topit më dorë me qëllim, ndaj edhe erdhi i verdhi i dytë dhe i kuqi. Çdokush mund të thotë mendimin e tij për këtë rast, unë e them përsëri se ai ishte momenti që vrau ndeshjen tonë.
Ne po mundeshim dhe po përpiqeshim ta kthenim fatin e ndeshjes. Mund të ishte 1-1 dhe do të ishim në ndeshje. Ne e kontrolluam ndeshjen për një periudhë të gjatë, ata shënuan me një gol nga distanca. Është padyshim pjesë e ndeshjes, por nuk duhet t’i vëmë fajin për gjithçka atij kartoni të kuq. Mund të kishim shënuar gola të tjerë. Duhej të fitonim, të ishim më të qetë. Është ende ne duart tona. Tani jemi të detyruar të fitojmë tre pikët të dielën ndaj Ishujve Faroe.
A është kjo humbja më e rëndë në karrierë? Ka ndeshje të tjera si kjo, por nuk dua të shoh nga e kaluara. Padyshim që na dhemb, do të ishim shumë më afër Europianit, i cili është objekti ynë i qartë. Sidomos kur e ndjen që mund të kishim fituar këtu”,- u shpreh “lideri” i mesfushës çeke. /i.m /abcnews.al