Dinamo humbi me Kukësin 2-0 në Kamëz, një disfatë që i dërgon blutë e kryeqytetit në vendin e 9-të të Abissnet Superiores.
Tashmë kthehen edhe “makthet” e mbijetesës tek dinamovitët, ndërsa drejtuesit e Dinamos duket se nuk e “kapërdijnë” dot këtë situatë, ndërsa për Bledar Devollin përballja me verilindorët mund të jetë e fundit si trajner i Dinamos.
Prej ditësh është përfolur se një trajner italian do të marrë frenat e kryeqytetasve me synimin e vetëm mbijetesën në superligë.
Sipas “Panorama Sport” Rodolfo Vanoli është i përzgjedhuri i drejtuesve dhe ditën e nesërme pritet të zbarkojë në Tiranë për të firmosur kontratën me Dinamon dhe për tu prezantuar më pas zyrtarisht si “timonieri” i ri i skuadrës.
Vanoli në të kaluarën ka drejtuar Koper dhe Olimpia në Slloveni, CSKA Sofia në Bullgari si dhe disa ekipe të kategorive të ulta në Itali si Pordenone, Colligiana, Arezzo dhe Mendrisioi. Nëse gjithçka do të mbyllet ditën e nesërme 59-vjeçari do të jetë trajneri i 3-të i Dinamos për këtë sezon pas Shkëmbit dhe Devollit. /f.a/abcnews.al