Humbja e thellë e opozitës në zgjedhje, Silva Caka: Kishte presion ndaj qytetarëve dhe blerje votash

schedule17:55 - 19 Maj, 2023

schedule 17:55 - 19 Maj, 2023

Silva Caka, anëtare e zgjedhur e Këshillit Bashkiak, në një intervistë për “News Line” në ABC News, foli për rezultatin e opozitës në zgjedhjet vendore të mbajtura pak ditë më parë. Sipas saj, presioni nga ana e kryeministrit dhe blerja e votës ishin ndër arsyet që ndikuan në këtë rezultat.

“Se di me çfarë guximi del edhe thotë se nëse votoni kandidatët e opozitës do të mbeteni në mëshirë të fatit. Ky është një kryeministër për të gjithë shqiptarët apo vetëm për ata që e votojnë. Përqindja e ulët nuk ishte asgjë tjetër përveçse një presion i madh dhe frikë nga ana e qytetarëve se çfarë mund të bëjë.”, tha Caka.

Caka shtoi se për këto thirrje duhet të ngrihet një padi penale ndaj kryeministrit Rama. “Për këto thirrje duhet të ketë një padi penale. E patolerueshme që kryeministri i vendit të dalë edhe të thotë se unë nuk do t’ju suportoj.“, shtoi më tej Caka. Një tjetër faktor që sipas saj ndikoi në zgjedhje ishte edhe përçarja.

Për këtë, Caka drejtoi gishtin drejt drejtuesve të PD zyrtare, duke i akuzuar si bashkëpunëtorë të Ramës. Caka tha se opozita duhet të bëjë një analizë të të gjitha bashkive për të ‘riformatuar’ politikat dhe strukturat për të kuptuar se ku kanë çaluar gjërat.

“Nuk është puna se qytetarët nuk na votuan. Ka një sërë arsyesh që do të duhet të merren në konsideratë kur të bëhet një analizë e thelluar e të gjitha bashkive, në mënyrë që të rikonceptohen politikat, të riformatohen strukturat dhe personalitetet politike por duhet filluar që tani. Do të duhet menjëherë të hyjmë në analizë për të kuptuar se ku ka caluar e gjithë gjithë gjëja. Kemi një luftë të jashtëzakonshme qoftë proceduriale, qoftë në terren.

Kemi një frikësim dhe intimidim të jashtëzakonshëm të votuesve, kemi një përçarje të përllogaritur nga ana e Ramës dhe PD dhe nuk ishte e kotë lufta nëpër gjykata dhe KQZ, për të krijuar idenë e përçarjes. Megjithatë më duhet ta pranoj se njerëzit kanë reaguar në masë ndaj koalicionit se vula ishte në dorën e shërbëtorëve të Ramës. Kemi një situatë të madhe shpopullimi, intimidimi, të blerjes së votës. Duhet të merren të gjitha në analizë dhe veprimet të vijnë mënyrë proporcionale të arsyeve që e çuan situatën në këtë pikë.“, tha Caka./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!