Humbja e gjyqit me Becchettin, Meta: Avokatura e Shtetit më gënjeu

schedule20:15 - 2 Prill, 2021

schedule 20:15 - 2 Prill, 2021

Presidenti Ilir Meta me anë të një postimi në rrjetet sociale ka reaguar lidhur me humbjen e gjyqit nga ana e Shqipërisë me biznesmenin Francesco Becchetti. Nga kjo humbje gjyqi, Shqipëria duhet të paguajë 110 milion euro, ndërkohë Presidenti Meta shprehet se e ka paralajmëruar prej kohësh qeverinë që të hiqte dorë nga arroganca dhe të tërhiqej nga vendimet sipas tij, abuzive.

Presidenti ka hedhur akuza ndaj kryeministrit Edi Rama duke thënë se është faji i tij që Shqipëria duhet të humbasë 110 milionë euro.

“Vetëm për tekat dhe kapriçot personale të Kryeministrit, i cili e urren edhe lirinë e medias, tashmë Shqipëria është e detyruar të paguajë 110 milion euro” shkruan Meta.

Lexo edhe:Humbet përfundimisht gjyqin, Shqipëria do i paguajë Becchettit 110 mln euro

Në fund të reagimit të tij, Presidenti Meta i ka bërë thirrje Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion (SPAK), të nisë urgjentisht hetimet penale për këtë dëm të madh ekonomik të shkaktuar shtetit dhe që do paguhet me paratë e të gjithë taksapaguesve shqiptarë.

Reagimi i plotë i Metës:

E kam paralajmëruar prej kohësh Qeverinë ende në detyrë të heqë dorë nga arroganca dhe të tërhiqet nga çdo vendim abuziv e jashtë procedurave ligjore ndaj investitorëve të huaj në vendin tonë.

Vetëm për tekat dhe kapriçot personale të Kryeministrit, i cili e urren edhe lirinë e medias, tashmë Shqipëria është e detyruar të paguajë 110 milion euro.

Skandali merr përmasa më të mëdha, për shkak se Avokatura e Shtetit e ka gënjyer Presidentin e Republikës duke pretenduar se nuk e ka humbur gjyqin me kompaninë në fjalë, madje duke fshehur informacion.

Në këto kushte, i bëj thirrje Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion (SPAK), të nisë urgjentisht hetimet penale për këtë dëm të madh ekonomik të shkaktuar shtetit dhe që do paguhet fatkeqësisht me paratë e të gjithë taksapaguesve shqiptarë.

Është koha, që Drejtësia të vendosë para përgjegjësisë ligjore, të gjithë shkaktarët e këtij dëmi ekonomik, edhe për të parandaluar në të ardhmen dëme më të mëdha për Buxhetin e Shtetit dhe taksapaguesit shqiptarë, për shkak të shpërdorimit të detyrës dhe abuzimit me pushtetin të zyrtarëve të lartë. E.L/abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!