Viti 1997 i mori pothuajse gjithçka. Petrit Progni, sot menaxher hotelesh në Santorini, e kujton atë periudhë si një nga momentet më të vështira të jetës së tij. Të gjitha kursimet që kishte mbledhur i humbi brenda pak kohësh. Në Shqipëri kishte lënë pas edhe një djalë vetëm gjashtë muajsh dhe, përballë kaosit, largimi u duk si e vetmja rrugë.
Me sugjerimin e motrave dhe me familjen e bashkëshortes në Greqi, Petriti u nis drejt një vendi që në fillim nuk e priti aspak mirë. Në ishull, paragjykimet ndaj shqiptarëve ishin të forta. Punët e para që i ofruan ishin në ndërtim, edhe pse në Shqipëri kishte studiuar ekonomi dhe kishte pasur eksperienca në biznes.
“Me 1 mijë dollarët e fundit” duhej të niste gjithçka nga e para.
Por Petriti nuk u dorëzua. Filloi të krijonte kontakte dhe të mësonte çdo detaj të një fushe që deri atëherë nuk e njihte: hotelerinë.
Një prej mundësive më të rëndësishme erdhi kur një sipërmarrëse greke i propozoi të bëhej asistenti i saj. Kushti ishte i pazakontë: të mohonte shtetësinë shqiptare.
Ai nuk pranoi. “Më vinte turp ta bëja”, tregon sot Petriti.
Në vend që të fshihte prejardhjen, zgjodhi të tregonte me punë se çfarë ishte në gjendje të bënte. Vitet kaluan dhe shqiptari nga Tropoja nisi të ngjiste shkallët e hotelerisë, deri sa u vu në krye të hoteleve luksoze në Mykonos, Rodos dhe Santorini.
Sot menaxhon ekipe të mëdha, deri në 118 punonjës, dhe hotele ku një natë mund të kushtojë mijëra euro. Puna nuk është e lehtë, sidomos kur përballesh me klientë shumë të pasur dhe kërkues, por Petriti thotë se sfida më e madhe është të krijosh një ekip që funksionon si një familje.
Rezultatet kanë ardhur edhe në formën e çmimeve ndërkombëtare, ndërsa hotelet që ai ka drejtuar janë vlerësuar me medalje Gold dhe Silver në “Greek Hospitality Aëards”.
Një tjetër sukses është “Santo Mangata Boutique Hotel”, i cili ka marrë vlerësime të larta nga pushuesit dhe çmime si “Best Greek Boutique Resort” dhe “Best Greek Adults Only Resort”.
Por historia e Petritit nuk ndalet te hoteleria.
Për dy vite ai drejtoi edhe ekipin grek Niki Volos, një klub me histori që prej vitit 1924, i krijuar nga emigrantë të ardhur nga Azia. Futbolli që kishte dashur që në rini u kthye kështu në një tjetër kapitull të jetës së tij./abcnews.al

