Shkëlqim Troplini, ish-mundësi dhe zëvendëstrajneri i Erzenit, është ndarë një ditë më parë nga jeta për shkak të komplikacioneve që kishte pasur pas infektimit me COVID-19. Mesazhet ngushëlluese drejtuar familjes dhe të afërmve kanë qenë të shumta dhe sot nuk mungon një edhe nga kreu i FSHF, Armand Duka.
“Me hidhërim të thellë mësova lajmin e trishtuar për ndarjen nga jeta të ish-sportistit, trajnerit dhe mikut të mirë Shkëlqim Troplini. Në këtë çast të trishtuar, gjej rastin që të ngushëlloj familjen, miqtë dhe veçanërisht dy djemtë Rejnaldon dhe Euxhenjon (të dy lojtarë të Erzenit), për humbjen e njeriut të dashur.
Shkëlqim Troplini ka qenë një ndër kampionët e njohur në sportin e mundjes, duke arritur në nivele të larta deri në kampion kombëtar. Më pas kontributi i tij është shtrirë edhe në fushën e trajningut në futboll, ku për një periudhë të gjatë ka qenë edhe zv/trajner i Erzenit duke u shquar për përkushtimin dhe seriozitetin e tij.
Për të gjithë sa ka bërë në fushën e sportit do të mbetet i paharruar. I ndrittë shpirti në parajsë!”, shkruan Duka në faqen zyrtare në “Facebook”. /abcnews.al