Cristiano Ronaldo nuk është mësuar të humbasë finale dhe disfata kundër Lazios në Superkupën e Italisë, e ka trishtuar jashtë mase. Portugezit i mungoi vetëm goli në finalen e zhvilluar në Arabinë Saudite, ndeshje që u fitua 3-1 nga ekipi i Inzaghit.
Trofeu i 32-të në karrierë nuk u arrit dhe sulmuesi i Juventusit e hoqi medaljen e argjendtë menjëherë nga qafa, madje u largua pa i shtrënguar dorën administratorit të deleguar të Ligës Italiane të Futbollit.
34-vjeçari nuk humbiste një finale prej më shumë se 5 vitesh, saktësisht ndodhi pas 64 muajsh. Për herë të fundit ka ndodhur në vitin 2014 kundër Atletico Madrid në finalen e Superkupës së Spanjës. Gjatë kësaj periudhe ka luajtur 11 finale dhe i ka fituar të gjitha.
Në total ka shënuar 19 gola në 29 finale të luajtura në karrierë. Objektivi i madh për vitin 2020 quhet Champions League dhe ylli portugez shpreson të arrijë me Juventusin në finalen e madhe të Stambollit, aty ku shpreson të shënojë golin e munguar kundër Lazios dhe t’i dhurojë trofeun e shumëpritur popullit juventin. /abcnews.al