Gëzim Tushi, i cili është komandant i batalionit në Vaun e Dejës, dhe bashkëshortja e tij Audorela humbën djalin e tyre nga leuçemia.
Në një intervistë për “Abc-ja e mëngjesit”, ata treguan peripecitë që iu është dashur që të kalojnë bashkë me të birin, i cili pavarësisht ndihmës mjekësore, nuk mundi të mbijetonte.
Ndërsa është bërë një vit nga vdekja e të birit, Audorela ka ndërmarrë një gjest të veçantë, duke dhuruar flokët për të sëmurët me tumor. Ajo thotë se e di se sa e rëndësishme është për dikë që humb flokët, pasi edhe gjatë kimioterapisë, djalit i ranë flokët disa herë.
“U bë një transplant me të cilin shpresuam se do të jetë rezultativ. Por nuk ndodhi ashtu. Bëri biopsinë, e para doli mirë dhe më pas jo, tregonte se leuçemia ishte e pamposhtur. Mjekët na kërkuan një transplant tjetër me gjakun e nipit, por në dhjetor nuk ishte rezultativ. E shtuan mjekët në urgjencë dhe me 28 dhjetor mori transplantin, i cili nuk i funksionoi dhe me datë 29 dhjetor 2023 u shtrua në terapi.”, u shpreh Gëzim Tushi.
“Unë flokët i kam mbajtur gjithmonë në një gjatësi mesatare. Gjatë terapisë së djalit, nuk kisha as kohë të shkoja t’i prisja dhe pas fatkeqësisë, shkova t’i pres. Meqë janë rritur shumë, njoh dikë që i do këto flokë duke marrë parasysh se djalit tonë i ranë dy-tre herë flokët. Po i pres dhe po gjej dikë. I thashë shoqes nëse më bën këtë nder dhe i dorëzon diku, do të isha shumë e gëzuar. Më 19 dhjetor, kryeva mësimin, dhe më thotë se i kam dorëzuar në Tiranë. I ka marrë me kënaqësi edhe të shkruan Briselda. Mendova që edhe unë të solidarizohem për personat“, shtoi Audorela./abcnews.al