Pablo Daniel Osvaldo është një sulmues interesant dhe një personazh shumë i veçantë. 34-vjeçari ka lindur në Lanus të Argjentinës, por gjyshi i tij ka qenë italian. Tetorin e vitit 2011 e shfrytëzoi këtë fakt dhe debutoi me kombëtaren e kaltër, me të cilën ka shënuar 4 gola në 14 ndeshje.
Katër vite më parë mori një vendim të fortë. Osvaldo i befasoi të gjithë, u tërhoq nga futbolli dhe nisi karrierën muzikore. Presioni mbytës dhe jeta “ushtarake” si futbollist e lodhën dhe ai iu përkushtua bandës së tij.
“Nuk e mohoj jetën time si futbollist dhe futbollin në përgjithësi. Më ka dhënë shumë, por shpeshherë ndihesha si peshku pa ujë. Futbolli më bënte të lumtur, por atmosfera e futbollit, jo. Ndihesha gjithmonë e më shumë i mbingarkuar nga atmosfera.
Nuk pendohem që kam luajtur futboll, e adhuroj dhe është gjëja më e bukur që më ka ndodhur në jetë. Por, presioni gjykues i njerëzve, të gjithë që duan të japin opinionin e tyre dhe të jetojnë jetët e të tjerëve, kur nuk dinë të jetojnë jetët e tyre, më lodhte shumë”, deklaronte Osvaldo. Rrokeri ndërroi mendje janarin e këtij viti dhe firmosi me skuadrën e Banfield.
Emocionet që të dhurojnë tifozët dhe adrenalina e shënimit të një goli kanë filluar t’ia përshkrojnë sërish çdo pjesë të trupit dhe Osvaldo ka rigjetur dashurinë e humbur. Gjatë karrierës së tij ka luajtur me shumë skuadra, ku dallohen: Juventus, Inter, Fiorentina, Roma dhe Boca Juniors.
Pengu më i madh lidhet me verën e vitit 2014. Atë sezon e kaloi mes Southampton dhe Juventusit, ndihej në formë të mirë dhe ishte i bindur që Cesare Prandelli, atë kohë trajner i Italisë, do e merrte me vete në Brazil 2014. Diçka e tillë nuk ndodhi, dhimbja e vuajtja e futbollistit u bënë të papërballueshme, dhe për pak sa nuk i morën jetën.
“Shënova disa gola në ndeshjet eliminatore, isha titullar dhe mbaja fanellën me numër 10, por Cesare Prandelli më la jashtë Botërorit të Brazilit për shkak të gazetave. Shtypi ankohej për faktin që isha argjentinas dhe sipas tyre duhet të luante një italian. Trajneri dëgjoi dëshirën e tyre.
Kam qarë për mungesën në atë Botëror, e meritoja grumbullimin dhe doja të vdisja nga mërzia. E kisha fituar në fushë grumbullimin për në Kupën e Botës. Pirlo më dërgoi një foto të hotelit sapo skuadra mbërriti në Brazil. E imagjinoni dot si ndihesha unë?”, deklaron Osvaldo për TNT Sports.
Kohë më pas erdhi një ftesë, kësaj radhe për t’u transferuar në Turqi. Prandelli ishte emëruar trajneri i Galatasaray dhe i kërkoi bomberit të bashkohej me të në Stamboll, moment të cilin Osvaldo e kujton në këtë mënyrë. “Shpresoj që Prandelli të jetë duke e kaluar keq karantinën.
Më ftoi t’i bashkohesha te Galatasaray kur mori drejtimin e klubit turk. I thashë që nuk do të pranoja as nëse më ofronin 50 milion euro. Gjëja më e rëndë është që unë e mora vesh në gazeta që kisha mbetur jashtë Botërorit. Trajneri nuk pati as guximin për të më njoftuar, mbeta shumë keq”, përfundon Osvaldo. /abcnews.al