Ka humbur jetën si pasojë e koronavirusit një tjetër mjek. Neuropsikiatri i njohur Hiqmet Shqerra u nda nga jeta në moshën 82-vjeçare. Ai ishte i shtruar në spitalin COVID-3, por nuk ka mundur t’i mbijetojë sëmundjes.
Doktor Shqerra lindi në Elbasan në një familje autoktone dhe me tradita. Ai studioi në Fakultetin e Mjeksisë dhe u specializua në Degën e Psikiatrisë me rezultate të larta dhe më pas mori titujt akademikë.
Gjatë eksperiencës së tij 56-vjeçare si mjek neuropsikiatër, doktor Shqerra dha një kontribut shumë të rëndësishëm në trajtimin dhe kurimin e qindra pacientëve shqiptarë me probleme të shëndetit mendor.
Për 20 vite drejtoi Spitalin psikiatrik të Elbasanit ku u shqua për aftësitë e veçanta profesionale dhe komunikimin e jashtëzakonshëm human me pacientët, familjarët dhe të gjithë komunitetin. /abcnews.al/