Humb jetën në mënyrë të mistershme mjeku i spitalit që trajtoi Navalnyn

schedule10:32 - 5 Shkurt, 2021

schedule 10:32 - 5 Shkurt, 2021

Një mjek në spitalin Omsk, ku është trajtuar politikani opozitar Aleksei Navalny, menjëherë pas helmimit me agjent nervor, është raportuar i vdekur, ka thënë Ministria e Shëndetësisë për atë rajon.

Sergei Maksimishin, i cili ka qenë zëvëndës-shef për anesteziologji dhe reanimacion në spitalin e Omskut, ka vdekur nga sulmi në zemër, ka thënë kjo ministria për Open Media. Ai ka qenë 55-vjeçar. Navalny ka qenë duke u trajtuar në departamentin e njëjtë pasi ishte helmuar në muajin gusht.

Spitali ka thënë se Maksimishin “ka vdekur papritur”, sipas një deklarate të cituar nga CNN. Megjithatë nuk janë bërë të ditura detajet e vdekjes.

Navalny, 44-vjeçar, ishte pranuar në spital në departamentin për helmim në spitalin e Omskut, pasi ishte sëmurë gjatë një fluturimi nga Tomsku në Moskë.

Navalny më pas ishte vënë në komë të induktur dhe ishte evakuuar në Gjermani, ku ka kaluar pesë muaj për shërim nga helmimi. Testimet në Evropë kanë vërtetur se ai është helmuar me agjent nervor të familjes Noviçok.

Maksimishin nuk pati dhënë detaje për gjendjen e Navalnyt. Në fillim, mjekët patën thënë se shkaku i sëmurjes së Navalnyt ka qenë helmimi, mirëpo më vonë kanë mohuar këtë gjë.

Pas kthimit në Rusi muajin e kaluar, Navalny është ndaluar, dhe këtë javë është dënuar me gati tri vjet burgim për shkelje të dënimit me kusht për një dënim paraprak.

Burgosja e tij është dënuar në rrafsh ndërkombëtar, duke përfshirë reagimet nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara./REL

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!