Pothuajse gjysma e popullsisë së re të Japonisë ka përjetuar mendime të vetëvrasjes, ka zbuluar një hulumtim. Vendi, popullsia e të cilit u tkurr me 556 mijë në vitin 2022 nga një vit më parë, në 124,9 milionë, ka “një nga dy të rinj” që kanë mendime suicidale, zbuloi një sondazh i kryer nga Fondacioni Nippon me qendër në Tokio.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë të Japonisë, vetëvrasja ka qenë shkaku kryesor i vdekjeve tek të rinjtë në vitet 2019, 2020 dhe 2021.
“Nga 14.555 persona të moshës 18 deri në 29 vjeç të anketuar…, 44,8 për qind kishin përjetuar ide të vetëvrasjes për shkak të problemeve si marrëdhëniet e vështira me njerëzit e afërt, ngacmimet dhe shqetësimet mbi të ardhmen arsimore ose karrierën”, zbuluan detajet e sondazhit të publikuar nga “Kyodo News”.
Rreth 40 për qind e 44,8 për qind të të rinjve “kanë tentuar të vetëvriteshin ose kanë ndërmarrë disa hapa drejt përgatitjes për të vrarë veten”.
“Traumat, të tilla si nga abuzimi seksual dhe ngacmimi, kanë luajtur rol të madh dhe kur janë ndërlikuar, kanë rritur gjasat për mendime të tilla”, zbuloi sondazhi.
Paralelisht me këtë prirje shqetësuese të rritjes së mendimeve për vetëvrasje tek të rinjtë e saj, Japonia ka shënuar një rënie rekord prej mbi 0,5 milionë banorësh të popullsisë së saj tashmë në rënie në vitin 2022, duke regjistruar vitin e 12-të radhazi të rënies.
Ndërkohë, të dhënat e qeverisë të publikuara sot treguan se popullsia e fëmijëve të Japonisë 14 vjeç e më lart “ra për të 42-tin vit radhazi për të arritur një rekord të ri të ulët … në 14,35 milionë sipas të dhënave më 1 prill, me rreth 300 mijë më pak nga një vit më parë”. Në këtë grupmoshë janë përfshirë edhe të huaj.
Popullsia e përgjithshme e vendit u tkurr me 556 mijë në vitin 2022 nga një vit më parë, në 124,9 milionë, ndërsa numri i shtetasve japonezë regjistroi rënien e tij më të madhe, treguan të dhënat e qeverisë të publikuara muajin e kaluar.
Sipas të dhënave më 1 tetor, popullsia, duke përfshirë banorët e huaj, ishte 124,9 milionë, ndërsa numri i shtetasve japonezë ra me 750 mijë, në 122 milionë, që ishte margjina më e madh e rënies që kur u vunë në dispozicion të dhënat e krahasueshme në vitin 1950.
Tendenca alarmante sugjeron një nevojë të menjëhershme që Tokio të krijojë një sistem social për të përballuar sfidën e dyfishtë të nivelit në rënie të lindjeve dhe popullsisë në plakje.
Të gjitha 47 provincat e Japonisë, përveç Tokios, shënuan rënie të numrit të banorëve në një cikël vjetor deri në tetor të vitit të kaluar, sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Komunikimeve.