Erion Hoxhallari, një ndër të ftuarit në emisionin “Pressing” në ABC News, ka thënë fjalët e para pas fitores kundër Bylisit në Kupën e Shqipërisë dhe kalimit në finale, aty ku do të përballet me Teutën.
“Na dha pak qetësi kjo fitore pas kritikave dhe sulmeve të shumta që morëm pas ndeshjes së parë me Bylis. I mbyllëm gojën kritikëve dhe kjo do të reflektojë në kampionat.
Ishim të ngarkuar psikologjikisht, është parë edhe në fushë, shpresoj të na rikthehet qetësia. Lojtarët nuk e shprehnin, por ndihej presioni nga media dhe të gjithë“, deklaron mbrojtësi nga Pogradeci, autori i golit të dytë në fitoren 2-0 kundër ekipit ballshiot.
Një koment për dy duelet e kthimit gjysmëfinale të Kupës së Shqipërisë, që sollën kalimin në finale të bardhebluve të Egbosë dhe Teutës së Edi Martinit, dha edhe Mario Cenolli, menaxheri shqiptar, sonte pjesë e ekipit të “Pressing”.
“Në të dy ndeshjet, si Tirana, si Teuta, e merituan fitoren dhe me meritë janë në finale. Në lidhje me atë që tha Hoxhallari, e dimë se ishin në presion dhe duhet ta fitonin ndeshjen me çdo kusht, sepse pastaj do të rriste edhe më shumë dyshimet e ndeshjes së parë“, thekson Cenolli. /abcnews.al