Hoti video-konferencë me Macron, dritë jeshile për liberalizimin e vizave

schedule16:15 - 19 Nëntor, 2020

schedule 16:15 - 19 Nëntor, 2020

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka zhvilluar sot një video-konferencë me presidentin e Francës, Emmanuel Macron.

Ky i fundit i fundit ka dhënë sinjale pozitive sa i përket liberalizimit të vizave. Macron dhe Hoti janë dakorduar që të ketë takime të ekspertëve dhe më pas të ministrave të brendshëm për verifikimin e kritereve të plotësuara nga ana e Kosovës për vizat.

“Lidhur me liberalizimin e vizave, kryeministri Hoti dhe presidenti Macron, u dakorduan që ditëve në vijim, si pjesë e mekanizmave për verifikim, të zhvillohen takime në nivel të ekspertëve që do të pasoheshin me takimin në nivel politik midis ministrave të brendshëm të të dyja vendeve”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit.

Një proces të tillë të takimit të ministrave të Brendshëm e kishte praktikuar Gjermania. Ish-ambasadori Christian Heldt kishte thënë se një praktikë të tillë Kosova duhet ta ndjek edhe me të gjitha shtetet tjera të cilat janë skeptike për atë nëse duhet që kosovarëve t’iu jepet drita e gjelbër për lëvizje brenda Zonës Schengen.

Deri më tani, Franca në mënyrë të vazhdueshme ka qenë skeptike, meqë sipas Parisit zyrtar Kosova ka ende punë për të bërë në përmbushjen e kushteve.