Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti gjatë qëndrimit të tij në SHBA këtë të shtunë është takuar me Sekretarin Amerikan të Shtetit, Michael R.Pompeo.
Hoti thekson se në këtë takim ka theksuar se Kosova është e gatshme për vazhdimin e dialogut me Serbinë, që çon në njohje reciproke ndërmjet të dyja vendeve.
Kryeministri përmes një postimi në rrjetin social Facebook shkruan se ka marrë mbështetje nga sekretari Pompeo, i cili siç tha ai theksoi gatishmërinë e SHBA-ve për të mbështetur Kosovën në procesin e dialogut dhe normalizimin e plotë të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
“Gjatë vizitës zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, jam pritur në takim nga Sekretari i Shtetit, Michael Pompeo, i cili më uroi për arritjen e marrëveshjes për normalizimin e raporteve ekonomike ndërmjet Republikës së Kosovës dhe asaj të Serbisë, marrëveshje kjo që u nënshkrua në Shtëpinë e Bardhë në prani të presidentit të SHBA-ve, Donald Trump.
Në emër të qeverisë dhe popullit të Kosovës, falënderova SHBA-në për mbështetjen e vazhdueshme që i ka dhënë dhe po i jep Kosovës, ndërsa duke vlerësuar rëndësinë që ka marrëveshja e arritur në Shtëpinë e Bardhë, theksova gatishmërinë e Kosovës për vazhdimin e dialogut me Serbinë, që çon në njohje reciproke ndërmjet të dyja vendeve. Po ashtu, mora mbështetje sekretari Pompeo, i cili theksoi gatishmërinë e SHBA-ve për të mbështetur Kosovën në procesin e dialogut dhe normalizimin e plotë të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, shkruan Hoti. e.su/abcnews.al