Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, gjatë qëndrimit të tij në Bruksel është takuar me presidentin e Partive Popullore Evropiane (EPP), Donald Tusk.
Në këtë takim bëhet me dije se Hoti e ka njoftuar presidentin Tusk për prioritetet e Qeverisë së Kosovës, e në veçanti për menaxhimin e pandemisë COVID 19 dhe rimëkëmbjen ekonomike të vendit, si pasojë e kësaj pandemie.
Ndër të tjera shefi i qeverisë së Kosovës ka ritheksuar qëllimin e Qeverisë për luftimin e korrupsionit dhe forcimin e rendit dhe ligjit.
“Në këtë takim, është biseduar edhe për procesin e liberalizimit të vizave, me ç’rast kryeministri Hoti theksoi nevojën urgjente për përmbylljen sa më të shpejtë të këtij procesi, duke potencuar se Kosova tashmë i ka përmbushur kërkesat e shtruara nga BE-ja për liberalizim të vizave”, thuhet në njoftimin e kryeministrisë.
Ndër të tjera bëhet me dije se një ndër çështjet e diskutuara në këtë takim ishte edhe procesi i dialogut me Serbinë.
“Kryeministri Hoti shprehu gatishmërinë e institucioneve të vendit për vazhdimin e dialogut, duke theksuar se Qeveria e Kosovës është e përkushtuar për arritjen e një marrëveshjeje finale ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë, e cila do të rezultojë me njohje reciproke”.
Gjithashtu në këtë takim kryeministri Hoti dhe presidenti Tusk kanë biseduar edhe për rolin që ka LDK-ja në të gjitha zhvillimet politike në vend, si parti anëtare e Partive Popullore Evropiane (EPP). e.su/abcnews.al