Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ndër ditën Ndërkombëtare kundër dhunës ndaj Gruas, është shprehur se dhuna ndaj tyre duhet të çrrënjoset.
Hoti ndër të tjera ka thënë se për të pasur një shoqëri të barabartë, duhet që gratë të fuqizohen edhe në aspektin ekonomik, andaj ai tha se në kuadër të Fondit për rimëkëmbje ekonomike, janë ndarë dy milionë euro, që do t’iu dedikohen bizneseve që udhëhiqen nga gratë, e që janë prekur nga pandemia.
“Unë besoj që forma më e fuqishme e ndikimit afatgjatë dhe konsolidimit afatgjatë e pozitës së gruas në shoqëri është duke i pavarësuar ato ekonomikisht, financiarisht, duke i bërë kontribuuese të barabarta të ardhurave të familjes”, tha Hoti.
Sipas Hotit, ndonëse kjo shumë është e vogël prej dy milionë eurosh, “sadopak e zbut këtë problem”, dhe shtoi se një milion euro ndahen nga sot, ndërkaq pjesa tjetër deri në fund të këtij viti.
“Është fakt gjithashtu që kemi diferenca të mëdha gjinore në tregun e punës që shkojnë një me katër, pra tre deri në katër herë meshkujt janë më të privilegjuar më të përfaqësuar në tregun e punës dhe kjo gjendje duhet të ndryshojë”, është shprehur ndër të tjera ai.
Ndërkohë kryeshefja ekzekutive e Agjencisë për Barazi Gjinore, Edi Gusia tha se kjo shumë e ndarë prej një milionë eurosh nga qeveria do të shkojë për 115 çerdhe private, që udhëhiqen nga gratë.
Fushata për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave këtë vit në Kosovë shënohet nga 25 nëntori deri më 10 dhjetor përmes aktiviteteve të ndryshme./abcnews.al