Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, sot ka marrë pjesë në Samitin e Parisit që është organizuar nga Merkel dhe Macron përmes një video-samiti.
Në fjalën e tij para të pranishmëve në këtë Samit, Hoti ka thënë fillimisht se është kënaqësi që ka marrë ftesën për të qenë pjesë e këtij Samiti i cili tregon përkushtimin e Bashkimit Evropian dhe vendeve anëtare për të mbështetur vendet e Ballkanit Perëndimor që të shkojnë drejt integrimit evropian.
Hoti ka theksuar se për Kosovën, marrëdhëniet fqinjësore me Serbinë vazhdojnë të mbesin çështje shqetësuese.
“Ne kemi filluar procesin e dialogut në vitin 2011 të ndërmjetësuar nga Brukseli. Ne kemi arritur një numër marrëveshjesh. Ato që janë zbatuar kanë përmirësuar jetën e njerëzve në të dy vendet.
Që nga fillimi i dialogut më 2011, Serbia ka vazhduar të ndërmarrë fushata kundër anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare dhe duke lobuar kundër njohjes së Republikës së Kosovës nga shtetet e tjera. Këto praktika të dëmshme dëmtuan procesin e normalizimit të marrëdhënieve tona si dy vende të pavarura.
Gjatë rrjedhës së dialogut, Serbia nuk tregoi synime të vërteta për normalizimin e marrëdhënieve midis dy vendeve. Përkundrazi, ajo e ka zgjatur procesin për të “blerë kohë” dhe për të vazhduar fushatat kundër sovranitetit të Kosovës”, ka theksuar Hoti.
Hoti ka shtuar se ne besojmë se dialogu nuk ka alternativë, duke përmendur edhe pesë objektivat që Kosova synon të arrijë me marrëveshjen përfundimtare me Serbinë.
1.Marrëveshja Gjithëpërfshirëse e Paqes midis Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë duhet të rezultojë në njohje reciproke. Pa një përfundim të tillë të këtij procesi marrëveshja nuk mund të ketë sukses. Njohja e ndërsjellë midis dy vendeve është mënyra e vetme për të normalizuar marrëdhëniet dhe ecur para për të dy vendet në integrimin evropian.
- Rezultati i kësaj marrëveshje duhet të jetë gjithashtu detyrim i BE-së për të përfshirë njohjen e Kosovës nga pesë vendet e BE-së.
- Anëtarësimi i Kosovës në OKB duhet të jetë gjithashtu pjesë e rezultatit të Marrëveshjes gjithëpërfshirëse të paqes midis Kosovës dhe Serbisë. Kjo natyrisht nënkupton zëvendësimin e Rezolutës 1244 të Sigurimit të KB.
- Anëtarësimit në organizata të tjera ndërkombëtare dhe hapja e qartë e perspektivës evropiane për Kosovën është objektivi dhe apeli ynë krahas këtij procesi.
- Personat e humbur dhe viktimat e të gjitha formave të dhunës, dëmeve të luftës, viktimave, janë çështje që na shqetësojnë. Asnjë normalizim nuk mund të bëhet para se të vendoset drejtësia./abcnews.al