Hoti kërkon në Bruksel liberalizmin e vizave për Kosovën

schedule15:55 - 8 Shtator, 2020

schedule 15:55 - 8 Shtator, 2020

Gjatë vizitës zyrtare në Bruksel, kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti është pritur nga komisioneri i Bashkimit Evropian për Fqinjësi dhe Zgjerim, Oliver Varhelyi, me të cilin bisedoi për zhvillimet e fundit politike në vend.

Sipas një njoftimi për mediat, e Hoti e ka njoftuar Varhelyi-n për prioritetet e Qeverisë së Kosovës, në veçanti në menaxhimin e situatës së krijuar me COVID-19, për masat që janë ndërmarrë dhe për Pakon e rimëkëmbjes ekonomike.

Po ashtu, në njoftim thuhet se Hoti i ka falënderuar institucionet e BE-së për mbështetjen financiare dhe teknike që i kanë dhënë Kosovës në luftimin e pandemisë.

Ai, po ashtu, ka shtruar nevojën e përmbylljes sa më të shpejtë të procesit të liberalizimit të vizave, duke theksuar se qytetarët e Kosovës meritojnë të lëvizin lirshëm sikurse popujt e tjerë, pasi që janë përmbushur të gjitha kushtet e parapara.

Kreu i qeverisë foli edhe për marrëveshjen e normalizimit të marrëdhënieve ekonomike mes Republikës së Kosovës dhe asaj të Serbisë, të nënshkruar në Uashington më 4 shtator, e cila paraqet një akt të vullnetit të mirë për të ecur më tej drejt marrëveshjes gjithëpërfshirëse në mes dy vendeve, që duhet të rezultojë me njohje reciproke. /abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!