Hoti: Gjatë këtij muaji priten 33 mijë doza të vaksinës nga skema e COVAX

schedule18:20 - 5 Mars, 2021

schedule 18:20 - 5 Mars, 2021

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Avdullah Hoti tha se gjatë muajit mars pritet të arrijë kontingjenti i parë prej 33 mijë dozave të vaksinave nga programi COVAX i Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

“Nga ky mekanizëm Kosova do të përfitojë 100 mijë e 800 doza të vaksinës kundër COVID-19, ndërkohë që janë duke u zhvilluar negociata intensive edhe me prodhues të tjerë për të siguruar numrin e nevojshëm të vaksinave me qëllim të imunizimit të plotë të popullsisë”, bën me dije Hoti.

Nga programi i COVAX-it – që ka për qëllim të shpërndajë vaksina në vendet e varfra – Kosova pritet të marrë doza të vaksinës së kompanisë farmaceutike britanike, AstraZeneca, që e ka prodhuar së bashku me Universitetin e Oxford-it.

Hotit gjithashtu sot është takuar me ministrin në detyrë të Shëndetësisë, Armend Zemaj dhe drejtorin e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, Naser Ramadani dhe drejtorin e Shërbimit Spitalor Klinik dhe Universitar, ku siç njoftohet, kanë vlerësuar se Kosova gjendet “para një vale të re të shpërthimit të pandemisë COVID-19”.

Hoti ka bërë thirrje që qytetarët dhe institucionet të respektojnë masat kundër pandemisë.

“Në takim me ministrin e Shëndetësisë Zemaj, drejtorin e IKSHPK-së Ramadani dhe me drejtorin e SHSKUK-së Krasniqi biseduam për situatën epidemiologjike kundër COVID-19.

Pasi që vendi gjendet para një vale të re të shpërthimit të pandemisë Covid-19, kërkuam mirëmbajtjen e masave në fuqi dhe respektimin e plotë të tyre. Ndërkohë që, institucionet shëndetësore janë duke punuar intensivisht për rritjen e kapaciteteve, sigurimin e barnave dhe rritjen e numrit të personelit mjekësor.

Nga shtabet komunale, policia, AVUK-u dhe Inspektoratet, kërkuam që të rrisin angazhimin për parandalimin, menaxhimin dhe kontrollin e infeksionit COVID-19 dhe në të njëjtën kohë të bëjnë respektimin rigoroz të masave në fuqi.

Po ashtu, nga të gjithë qytetarët kërkuam që të respektojnë distancën fizike, të përdorin maskat, të bëhet dezinfektimi dhe ajrosja e lokaleve, duke pamundësuar përhapjen eventuale të infeksionit dhe shmangien e përhapjes në hapësirat e mbyllura.

Sa i përket furnizimit me vaksina, gjatë këtij muaji pritet të arrij kontingjenti i parë prej 33 mijë dozave të vaksinës COVAX. Nga ky mekanizëm Kosova do të përfitoj 100 mijë e 800 doza të vaksinës anti Covid-19, ndërkohë që janë duke u zhvilluar negociata intensive edhe me prodhues të tjerë për të siguruar numrin e nevojshëm të vaksinave me qëllim të imunizimit të plotë të popullsisë”, ka shkruan Hoti në rrjetin social “Facebook”.

/abcnews.al/