Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, në një konferencë për media ka njoftuar lidhur me takimet që ka pasur në Bruksel.
Ai ka thënë se tema që është diskutuar në të gjitha këto takime janë me interes vital, duke filluar nga liberalizimi i vizave.
Hoti ka shtuar se ka një mirëkuptim të plotë për nevojën që qytetarët të lëvizin lirshëm.
“Tash është obligim i joni që ti mirëmbajmë ato kritere që i kemi plotësuar për vizat Do të punojmë me secilin vend të BE-së për të treguar përkushtimin tonë për reformat. Çështja e dytë që kemi diskutuar është luftimi i pandemisë. Ne tash duhet të bëhemi gati për valën e dytë të pandemisë dhe do të bashkëpunojmë për të siguruar kapacitetet e nevojshme”, ka thënë ai.
Hoti është shprehur se pas shtyrjes së takimit në SHBA ka qenë në kontakt të vazhdueshëm me Richard Grenell. Kryeministri thekson se janë duke biseduar për një datë të re të takimit. Po ashtu ai ka thënë se po përgatiten edhe për samitin në Paris.
“Për shkak të zhvillimeve të fundit kemi shtyrë takimin në Uashington dhe unë kam pasur diskutime intensive me Grenell dhe me të jemi pajtuar për datën e re e cila do të ndodh së shpejti dhe ju do të njoftoheni. Agjenda e atij takimi mbetet e njëjtë përsëri, që t’i jep shtysë dialogut me një shtysë ekonomike.
Tani janë duke u bërë aranzhimet finale për Samitin e Parisit dhe si qeveri jemi të gatshëm të jemi pjesë e atij Samiti që kryesohet nga dy shtetet kryesore të BE-së dhe jemi të nderuar me angazhimin kaq të madh të Macron dhe Merkel. Ne do të punojmë shumë në qeveri për të funksionalizuar ekipën për dialog përmes eksperëve për dialog të cilët do të kujdesën për t’i hartuar të gjitha temat në interesin tonë në këtë dialog”, deklaroi Hoti. /abcnews.al