Hoti: Dialogu mbyllet me normalizim të marrëdhënieve dhe njohjen reciproke

schedule14:52 - 21 Korrik, 2020

schedule 14:52 - 21 Korrik, 2020

Këtë të martë kryeministri Avdulla Hoti në kuadër të dialogut me Serbinë, është takuar me disa përfaqësues të partive politike ndërkohë takimi është bojkotuar nga kreu i PDK-së, Kadri Veseli dhe ai i VV-së, Albin Kurti.

Sipas një njoftimi të shpërndarë për mediat, qeveria e Kosovës thekson se në këtë takim shefi i qeverisë  ka njoftuar Forumin e partive politike për ecurinë e deritanishme të dialogut me Serbinë, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, i cili, siç ritheksoi ai, duhet të përfundojë me normalizim të marrëdhënieve në mes dy vendeve dhe me njohje reciproke.

Me këtë rast, kryeministri Hoti shtjelloi ecurinë e deritanishme të procesit të dialogut, duke nisur që nga Samiti i Parisit, mbajtur më 10 korrik 2020 nëpërmjet video-konferencës, në të cilin morën pjesë Presidenti Macron, Kancelarja Merkel, Përfaqësuesi i Lartë i Politikës së Jashtme i BE-së Borrel, Përfaqësuesi i Posaçëm i BE-së për dialogun Lajçak dhe presidenti serb Vuçiç, video-konferenca e datës 12 korrik 2020, në mes kryeministrit të Kosovës dhe Presidentit të Serbisë, e udhëhequr nga z. Borrel dhe z. Lajcak, deri te takimi i fundit me presidentin serb në Bruksel, që është mbajtur më datë 16 korrik 2020, po ashtu me ndërmjetësimin e përfaqësuesve të lartë të BE-së”, thuhet në njoftim.

Kryeministri Hoti, edhe me këtë rast, ka ritheksuar se i tërë procesi i dialogut do të jetë plotësisht transparent, ndërsa Kuvendi i Kosovës, Forumi i partive politike dhe opinioni i gjerë në vend do të njoftohet hollësisht për secilin takim.

“Nga ana e tyre, të gjithë përfaqësuesit e partive politike të vendit të përfaqësuara në këtë forum, i dhanë mbështetje të plotë kryeministrit Hoti dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës për procesin e dialogut politik me Serbinë”, thuhet ndër të tjera në njoftim./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!