Kryeministri në detyrë i Kosovës, Avdullah Hoti, tha se ka zhvilluar një bisedë telefonike me kancelaren gjermane, Angela Merkel, të cilën, siç tha, e ka falënderuar për kontributin që ka dhënë Gjermania në të gjitha fazat e ndërtimit të shtetit dhe të forcimit të institucioneve demokratike të Kosovës.
“E falënderova atë për angazhimin e saj të gjatë personal në thellimin e lidhjeve Kosovë-Gjermani dhe për mbështetjen e saj gjatë procesit të dialogut [v.j. për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë]”, shkroi Hoti në Twitter.
I had a fruitful phone call today with german Chancellor Angela Merkel, whom I expressed my appreciation for the valuable contribution that Germany has given in all phases of state building and strengthening the democratic institutions of the Republic of Kosovo. (1/2)
— Avdullah Hoti (@Avdullah) January 6, 2021
Në një komunikatë të lëshuar nga zyra e tij thuhet se Hoti dhe Merkel diskutuan edhe për menaxhimin e pandemisë COVID-19 në Kosovë dhe zhvillimet aktuale politike në vend.
“Kryeministri Hoti e siguroi kancelaren Merkel se Qeveria në detyrë e Republikës së Kosovës me përkushtim do t’i kryejë të gjitha obligimet dhe përgjegjësitë e parapara me Kushtetutë dhe do të jetë bashkëpunuese konstruktive me bashkësinë ndërkombëtare”, thuhet në komunikatë.
Qeveria e Hotit është në detyrë, pasi Gjykata Kushtetuese e Kosovës e ka shpallur jo-kushtetuese më 21 dhjetor – pas gjashtë muajsh udhëheqjeje – për shkak të votës së një deputeti, ndaj të cilit kishte dënim të formës së prerë.
Merkel do të largohet nga pozita e kancelares këtë vit. /abcnews.al/