Hoti: Asociacioni është temë e mbyllur për Kosovën

schedule10:33 - 28 Shtator, 2020

schedule 10:33 - 28 Shtator, 2020

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka deklaruar këtë të hënë se çështja e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë është një temë tashmë e mbyllur.

Hoti ndër të tjera në konferencën e tij për mediat është shprehur se në ditën kur është dashur të mbahet një raund i ri i dialogut Kosovë-Serbi, në nivel ekspertësh, por që është shtyrë, për shkak të, siç kanë thënë zyrtarët evropianë, situatës së krijuar me koronavirus.

 “Ajo temë nuk hapet, sepse është përmbyllur me marrëveshjen e vitit 2013 [midis Kosovës dhe Serbisë], e cila është ratifikuar në Kuvendin e Kosovës, dhe pastaj është marrëveshja e parimeve e vitit 2015”, tha Hoti.

Ndërkohë përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lakçak, ka thënë se Asociacioni “duhet të adresohet në kuadër të marrëveshjes gjithëpërfshirëse”.

Krijimi i Asociacionit është paraparë me Marrëveshjen e Brukselit të vitit 2013, të arritur në dialogun Kosovë-Serbi, por Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka konstatuar se parimet për të nuk janë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, edhe pse ka thënë se ato mund të harmonizohen me një akt ligjor të Qeverisë së Kosovës.

“Kemi treguar gjithë konstruktivitetin e nevojshëm për ta çuar përpara këtë proces [të dialogut], që është me rëndësi për Kosovën, për Serbinë dhe për rajonin”, tha Hoti.

Ai po ashtu tha se koalicioni aktual qeverisës në Kosovë është duke funksionuar dhe se qeveria e tij është stabël.

“Nuk shoh arsye që të hymë në kombinime të tjera”, ka thënë Hoti. e.su/abcnews.al