Hotelet me 4 dhe 5 yje/ Lehtësohen kriteret për investime në strukturat akomoduese

schedule14:24 - 8 Shkurt, 2024

schedule 14:24 - 8 Shkurt, 2024

Qeveria ka lehtësuar kushtet për investitorët që duan të ndërtojnë  hotele apo struktura të tjera akomodimi. Në  një vendim të fundit theksohet se për të marrë  statusin “Investitor në strukturë akomoduese me 4 ose 5 yje, status special” subjektet duhet të kenë një vlerë investimit jo më pak se 8 milionë euro  për hotel me 4 yje dhe jo më të vogël se 15 milionë euro për ndërtimin e strukturës akomoduese me 5 yje.

Në vendim përcaktohet se hoteli duhet të ndërtohet nga një kompani e regjistruar si markë tregtare ose i njohur ndërkombëtarisht “brand name” me 4 dhe/ose 5 yje. Por edhe në këtë drejtim ka disa lehtësi pasi janë hequr kriteret që duhet të plotësoheshin deri më tani në lidhje me investime të ngjashme të kryera apo  në lidhje me kapacitetet financiare që duhet të ketë investitori.

Po ashtu  për të nxitur këtë sektor është vendosur që të ulet vlera e garancisë që duhet të paguajnë investitorët. Deri më tani garancia që kërkohej nga  subjektet  ishte në nivelin 10 për qind të vlerës së investimit  ndërsa tashmë është ulur në 3%.

Edhe mënyra e aplikimit  tashmë është e përcaktuar me afate konkrete. Aplikimi bëhet përmes e-Albania, dhe shqyrtohet nga një komision i përbërë nga 7 anëtarë që do të ngrihet pranë Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit. Ndërkaq.

Ndërkohë që nga moment që subjekti ka marrë statusin e investitorit brenda 30 ditëve nënshkruhet marrëveshja duke përfshirë detajet e projektit dhe vlerën e investimit.

Shqipëria pret një tjetër boom turistik  gjatë këtij viti ndërsa numri i turistëve pritet të arrijë në 13 milionë ndërsa janari ka regjistruar rreth 500 mijë shtetas të huaj që kanë vizituar vendin .Kjo kërkon që të shtohen më shumë strukturat akomoduese në vend./ abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!