Hong Kong, pas protestave vijnë grevat masive

schedule15:00 - 5 Gusht, 2019

schedule 15:00 - 5 Gusht, 2019

Krahas protestave masive pro-demokracisë, Hong Kongu është përfshirë edhe nga grevat masive të qytetarëve. Më të paralizuarit nga bojkoti i punës rezultojnë transporti hekurudhor dhe ai ajror, që ka anuluar 200 fluturime.

Protestuesit pro-demokracisë në Hong Kong bllokuan rrugët dhe paralizuan trafikun hekurudhor e atë ajror në orët e para të mëngjesit të së hënës. Bëhet fjalë për një grevë të përgjithshme, të cilës kanë deklaruar se do t’i bashkohen edhe 14 mijë persona të tjerë, punonjës të sektorëve të ndryshëm. Edhe punonjësit e shërbimeve publike, të cilëve u është kërkuar të qëndrojnë neutralë ndaj protestave, kanë bërë me dije se do t’i bashkohen nismës në fjalë.

Situata më probematike si pasojë e grevës rezulton në transportin hekurudhor, që ka bërë që shumë udhëtarë të mbeten në këmbë; si dhe atë ajror, ku janë anuluar 200 fluturime, kryesisht të linjave kombëtare.

Në disa raste gjatë ditës së hënë, policia ka përdorur gaz lotësjellës ndaj protestuesve. Autoritetet kanë deklaruar se që nga nisja e protestave, më 9 qershor ka qëlluar rreth 1 mijë bomba gazi, 160 plumba gome dhe ka arrestuar mbi 420 persona. Ndërkohë, në fjalimin e parë televiziv pas dy javë heshtje, liderja e rajonit autonom të Kinës, Kerri Lam ka deklaruar se qyteti ndodhet në buzë të greminës. Ajo ka akuzuar protestuesit se kanë cënuar parimin “Një vend, dy sisteme” dhe se po e përdorin si pretekst projektligjin e ekstradimit të kërkuar nga Kina. Gjithashtu, Lam ka refuzuar të japë dorëheqjen, pavarësisht sulmeve që i janë bërë administratës së saj./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!