Hong Kong, aktivistët përdhosin flamurin kinez

schedule17:25 - 22 Shtator, 2019

schedule 17:25 - 22 Shtator, 2019

Aktivistët në Hong Kong kanë përshkallëzuar protestën e tyre duke përdhosur flamurin kinez dhe duke gjuajtur me gurë dhe tulla ndaj policisë. Pas tërheqjes së ligjit të ekstradimit, tashmë të rinjtë kërkojnë të drejtën e votës, hetimin e dhunës së policisë dhe atë të bandave të përdorura nga qeveria kundër tyre.

Aktivistët në Hong Kong përdhosën të dielën flamurin kinez dhe kryen një seri aktesh vandale në një qendër tregtare, në javën e 16-të të protestave anti-qeveritare. Shkallët elektrike dhe panelet prej xhami ishin objekt i sulmeve të protestuesve në qendrën tregtare, e ndodhur në një nga sheshet kryesore të qytetit, që më pas u izolua nga policia.

Nga ana e tyre, forcat e rendit qëlluan gaz lotësjellës ndaj manifestuesve, që gjuanin me gurë dhe tulla. Më herët, policia parandaloi një mobilizim të qytetarëve që do të bllokonin sistemin e metrosë që të çon në aeroportin e Hong Kongut, ndër më të ngarkuarit në botë.

Protestat u shkaktuan nga ligji tashmë i tërhequr i ekstradimit, i kërkuar nga qeveria kineze, por shumë shpejt u kthyen në një fushatë pro-demokracisë. Çështje si e drejta e votës, kërkesa për një hetim ndërkombëtar të dhunës së policisë dhe përdorimi i bandave për t’u bërë kontrast protestuesve janë kthyer në thelbin e manifestimeve.

Fushata, e udhëhequr kryesisht nga të rinjtë, ishte paqësore në fillimet e saj, por me kalimin e javëve degradoi në dhunë. Ajo është kthyer në sfidën më të madhe për regjimin kinez që kur sovraniteti i Hong Kongut iu kthye Pekinit nga Britania në vitin 1997.

Hong Kongu është pjesë e Kinës por gëzon një shkallë të gjerë autonomie dhe lirish. Ato pritet të shfuqizohen në vitin 2047 dhe shumë banorë të Hong Kongut nuk duan që ai të kthehet në një tjetër qytet kinez./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!