Sot janë duke u zhvilluar homazhet e fundit për shkrimtarin e njohur shqiptar, Bardhyl Londo, i cili u nda nga jeta në moshën 74-vjeçare ditën e djeshme.
Miq, kolegë dhe të afërm të tij i kanë dhënë lamtumirën e fundit poetit të njohur dhe ish-deputetit shqiptar në ambientet e Kuvendin.
Të pranishëm në homazhet në nder të poetit të njohur dhe ish-deputetit ishin figura të njohura politike, si presidenti, Ilir Meta dhe kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla.
Meta u shpreh se Londo ishte një intelektual i përmasave të larta, ndërsa shtoi se ka lënë pas një trashëgimi frymëzuese për të gjithë dhe sidomos për të rinjtë.
“Ishte detyrim për ti dhënë lamtumirën e fundit sot një intelektuali dhe patrioti si Bardhyl Londo. Jam i sigurt që një poet i këtyre përmasave, ka lënë një trashëgimi frymëzuese, për të gjithë dhe sidomos për të rinjtë. Ai gjithmonë ka qenë mbi politikën dhe ka qenë gjithmonë një intelektual i moderuar për të bashkuar dhe për të nxitur dialogun”, tha presidenti.
Ndërkohë Nikolla u shpreh se Bardhyl Londo u ka lënë shqiptarëve një trashëgimi të pasur letrare. Ajo e cilëson poetin si modelin e politikanit me vlera të përkushtuar ndaj atdheut dhe njerëzve,
“Bardhyl Londo ka kaluar një jetë midis letërsisë dhe politikës. Ai na ka lenë një trashëgimi të pasur letrare si edhe modelin e politikanit me vlera, të përkushtuar ndaj njerëzve dhe atdheut.”, u shpreh Kryetarja e Kuvendit, znj. Lindita Nikolla.
Bardhyl Londo i përket intelektualëve që ndanë gjatë jetës së tyre dhe angazhimin në politikë. Për shumë vite ai ka qenë deputet në Kuvendin e Shqipërisë nën logon e Partisë Demokratike. Shpesh politika ndihet dhe në vargjet e tij të vona, të fokusuara më shumë te sfidat me të cilat është përballur vendi. Kritik ndaj qëndrimeve që mbahen sot ndaj letërsisë së socio-realizmit, ai ka bërë shpesh thirrje se duhet ndarë figura e artistit nga qëndrimi i tij politik dhe për ta gjykuar letërsinë pa qëndrimet politike.
Poeti me pardesynë e bardhë dhe vështrimin e thellë është padyshim një nga figurat më interesante të letërsisë shqipe të pas viteve ‘80./abcnews.al/