Holanda, një “narko-shtet” në zemër të Evropës, nga kartelet shqiptare tek “Mocro mafia”

schedule09:41 - 23 Shtator, 2021

schedule 09:41 - 23 Shtator, 2021

Nga Emanuel Pietrobon:

Roterdami ashtu si Antverpi, është porta nga hyn kokaina në tregun evropian të drogës, ashtu si Amsterdami dhe Brukseli, janë kryeqytetet joformale të krimit të organizuar transnacional, dhe ndërkohë Holanda ashtu si Belgjika, është narko-shtet i ardhshëm në zemër të Kontinentit të Vjetër.

Kokainizimi i shoqërisë evropiane, nga e cila kjo e fundit po bëhet gjithnjë e më shumë e ndërvarur, ka një ndikim të madh në trafikun ndërkombëtar të kësaj lloj droge, duke e rishkruar “gjeografinë e krimit”.

Në kushtet kur zona dikur të sigurta si Costa del Sol në Barcelonë, janë bërë sot epiqendra e luftërave midis bandave rivale, dhe zona të tjera si Marseja kanë përjetuar fenomene të ngjashme me ato të Botës së Tretë,qytetet portuale holandezesi Roterdami dhe Antverpi, janë shndërruar në portën hyrëse të kokainës në Evropë.

Pasojat më shkatërruese të kokainizimit të Evropës, po prekin në veçanti zonën belgo-holandeze. Pasi në sfondin e depërtimit të mafieve në portet gjeostrategjike të Roterdamit dhe Antverpit, narko-eurot vihen në qarkullim në ekonomitë e tyre, duke i “ndotur” dhe korruptuar ato në nivele kritike, aq sa tani në rrugët e Amsterdamit dhe Brukselit po përleshen me njëri-tjetrin me armë zjarri hegjemonët e rinj të krimit të organizuar transnacional:narko-banditët e Ballkanit dhe Saharasë.

Roterdami si Medelini në Kolumbi

Raportet e fundit mbi rrugët e reja të trafikut të drogës nga EUROPOL dhe Zyra e Kombeve të Bashkuara për Kontrollin e Drogës dhe Parandalimin e Krimit nuk përdorin aspak fjalë diplomatike:Hamburgu, Antverpi dhe Roterdam, janë “epiqendrat” e trafikut të kokainës që lidh të dyja brigjet e Atlantikut.
Dhe pikërisht në Roterdam – portin me fluksin më të madh në Evropë; i ndjekur nga Antverpi dhe Hamburgu-u krye mbrëmjen midis 16-17 shtatorit një nga sekuestrimet më të mëdha të kokainës në historinë e Holandës.

Autoritetet holandeze, ndaluan një kontejner që vinte nga Surinami, dhe kishte si destinacion përfundimtar Poloninë, brenda së cilës ishin fshehur pak më shumë se 4 ton kokainë, me një vlerë tregu prej rreth 300 milionë eurosh.

Rëndësia e kësaj ngjarjeje, mund të kuptohet vetëm duke iu referuar madhësisë së sasisë së drogës së kapur ndaj trafikantëve. Një sasi e ngjashme nuk ishte kapur që nga viti 2005, kur u sekuestrua një dërgesë prej 4.6 ton kokainë. Ja cilat janë shifrat dhe faktet e kokainizimit të Holandës:

– 48 ton kokainë të kapur në portet dhe aeroportet holandeze vetëm gjatë vitit 2020

– 34 ton kokainë e kapur në vitin 2019, ose rreth ¼ më pak sesa sasia e kapur vitin e ardhshëm

-Një nga laboratorët më të mëdhenj të rafinimit të kokainës i zbuluar ndonjëherë në Evropë, si dhe më i madhi i zbuluar ndonjëherë në Holandë, u zbulua dhe shkatërrua në Nijeven në korrikun e vitit të kaluar. Operacioni çoi në arrestimin e 17 personave, zbulimin e dhjetëra mijëra litrave substanca që përdoren për përpunimin e drogës, dhe në sekuestrimin e 1 kuintali kokainë bazë. Laboratori ishte i aftë të përpunonte 150-200 kilogramë kokainë në ditë.

-Është shumë shqetësues bashkëpunimi midis punonjësve të portit të Roterdamit dhe karteleve të drogës. Sikurse e konfirmon Piter Tops i Akademisë së Policisë Holandeze, kohët e fundit 28 nga 30 punonjësit e një kompanie dhanë dorëheqjen, pasi u njoftua fillimi i kontrolleve mbi cilësinë e punës së tyre.

– Holandezët renditen në 10 kombet e para në trafikun e kokainës. Kjo renditje buron nga numri i arrestimeve të kryera në Bashkimin Evropian midis viteve 2018-2020. Holandezët zënë vendin e tetë -me 51 individë të burgosur – dhe janë evropianët e vetëm (në union) në këtë renditje. Të tjerët janë shqiptarë, që spikatin me 266 të arrestuar, të parakaluar nga trafikantët me kombësi nga vendet e Amerikës Latine dhe Afrikës.

Një narko-shtet?

Hetimet nga policitë kombëtare dhe mbi–kombëtare bien dakord në një pikë:Holanda dhe Belgjika janë dy portat hyrëse të kokainës për tregun evropian të drogës. Droga është me origjinë nga Amerika Latine, sidomos nga Brazili dhe Kolumbia, dhe trafikimi i saj po kryhet gjithnjë e më pak nga organizatat kriminale tradicionale -si italianet Ndrangheta dhe Camorra -dhe po kontrollohet gjithnjë e më shumë nga grupime kriminale në rritje, që janë të etura për para, dhe që i shkrepin me lehtësi armët.

Kartelet shqiptare dhe marokene të drogës, janë më pak objekt i presionit gjyqësor sesa rivalët e tyre italianë. Nëse në Belgjikë tregu i drogës, është praktikisht i monopolizuar nga trafikantët e ardhur nga Tirana -që besohet të jenë kontrollorët de fakto të portit të Antverpit – në Holandë skena dominohet nga ushtarët dhe kumbarët turko-marokenë të krimit të organizuar, të cilët media dhe hetuesit i quajnë zakonisht “Mocro Mafia”.

Një krim i organizuar shumë i egër, dhuna e të cilit e shokoi publikun dhe hetuesit holandezë, pasi i ngjan shumë asaj të Cosa Nostra-s në Italinë e viteve 1980:sulme, përplasje dhe vrasje të gazetarëve dhe ligjvënësve, siç është rasti i avokatit Derk Viersum, i vrarë më 18 shtator 2019.

Mund të mos jetë aspak një rastësi, që kapja e një sasie shumë të madhe të kokainës në portin e Roterdamit, të ketë ndodhur pikërisht tani. Autoritetet dhe qeveria duhej t’i dërgonin një mesazh të fortë opinionin publik, ende të tronditur nga vrasja e Peter de Vries, gazetarit investigativ më të njohur në vend, që për vite me radhë ishte në listën e zezë të kreut të bosëve të “Mocro Mafia”, Ridouan Taghi.

Ndaj sekuestrimi policor i 16 shtatorit është shumë i rëndësishëm, pasi i shkaktoi një dëm të madh aktivitetit ilegal të “Mocro Mafia”. Por lufta për çrrënjosjen e këtij problemi nuk ka mbaruar.
Sepse nuk mund të mjaftojë vetëm një sekuestrim për të ndryshuar realitetin, për të ndalur vrasjet apo prishur unitetin e fortë midis trafikantëve të drogës, kompanive portuale dhe sistemit bankar, i përshkruar në shkrimin e fundit investigativ me titull “Nederland, Drugsland”, që ka nxitur një numër analistësh në rritje, 60 për qind të opinionit publik, dhe madje edhe sindikatën më të rëndësishme të policisë holandeze, të flasin për Holandën si një narko-shtet në zemër të Evropës. /abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!