Hodaj: Procesi gjyqësor në Hagë mund të zgjasë 10 vjet

schedule20:17 - 24 Nëntor, 2020

schedule 20:17 - 24 Nëntor, 2020

Avokati i Gjykatës Speciale, Taulant Hodaj ka treguar të tjera detaje për procesin gjyqësor në Hagë, ku po gjykohen ish drejtuesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

I ftuar në emisionin “Imazh” në RTK në Kosovë, ai tha procesi gjyqësor ndaj tyre mund të marrë kohë deri në 10 vjet, ndërsa shtoi se mesatarja e proceseve të këtij niveli është 5 vjet.

“Nëse marrim parasysh Tribunalet e kaluara, mesatarja e gjykimit do të jetë 5 vjet, derisa për ish-liderët e UÇK-së Thaçit, Veselit, Selimit e Krasniqit gjykimi mund të zgjas deri në 10 vjet, pasi që është rast shumë i rëndë”, ka thënë Hodaj.

Për ish-presidentin Hashim Thaçi, kryeprokurori i Prokurorisë Speciale të Hagës, Jack Smith, në letrën e tij drejtuar Gjyqtarit të Procedurës Paraprake, Nicola Guillou, letër e cila është e publikuar edhe në faqen zyrtare të Gjykatës Speciale, është shprehur se mund të dënohet me burgim të përjetshëm.

Smith fillimisht ka theksuar se ish-presidenti i Kosovës mund të arratisej pasi aktakuza e pakonfirmuar ishte bërë publike. Sipas tij, një gjë e tillë do ta nxisteThaçin të ikte.

Gjithashtu Smith në letrën e tij kishte pretenduar se Thaçi mund të kryejë edhe krime të tjera dhe të pengojë procedurat e Speciales.

“Përderisa të dhëna të caktuara dhe të përgjithshme në lidhje me aktakuzën e dorëzuar dhe të pakonfirmuar janë publikuar, ndjenja nxitëse e Thaçit për t’u arratisur, për t’i penguar procedurat dhe për të kryer krime të mëtutjeshme do të rritet drastikisht posa ai të informohet për aktakuzën e konfirmuar dhe për hollësitë e akuzave të konfirmuara, të cilat mund të sjellin dënim me burgim të përjetshëm”, thuhet në dokumentin që Jack Smith ia ka dërguar gjyqtarit./abcnews.al/